Ushtria e Kosovës ka nisur më heret

Dusan Janjic thotë se procesi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës ka filluar që nga shuarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kërkon nga pala serbe që këtë çështje ta diskutojë në NATO, ose në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.

Lajme

15/03/2014 20:00

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dusan Janjic, ka thënë se modalitetet e Ushtrisë së Kosovës do të duhej të diskutohen në Këshillin e Sigurisë së OKB’së.

Ai në një intervistë për RTS ka thënë se ekziston mundësia që të bisedohet për modalitetet e Forcave të Armatosura të Kosovës në Bruksel, por jo te Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, por në Selinë e NATO’së.

Por, sipas analistit serb, vendimi më i mirë i Serbisë do të ishte që këtë çështje ta dërgojë për diskutim në KS të OKB’së.

Edhe pse, siç thotë Janjic, Ushtria e Kosovës është përmendur në dokumentet kushtetues që nga viti 2006, që në kuptimin themelor ka qenë ushtri.

Ai bën të ditur se ky formacion ka pasur disa faza nëpër të cilin ka kaluar – në fazën e parë është quajtur UÇK, më pas TMK, dhe së fundi FSK.

Janjic konsideron se këto trupa të armatosura do të mund të ngritën në ushtri.

Afati kushtetues për formimin e ushtrisë dhe zhvillimi i dialogut të Brukselit që çon në ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe Kosovës, ka ngritur çështjen e Ushtrisë së Kosovës, tha Janjic, dhe sipas tij, kjo çështje lidhet objektivisht edhe me njohjen.

Ai shtoi se ushtria nuk mund të zhvillohet në një kuptim të plotë përderisa Kosova të mos bëhet e pavarur, sovrane dhe njohur ndërkombëtarisht.