USAID ofron mbështetje në prioritetet e Gjykatës Supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani të premten është takuar me drejtorin e Misionit të Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë (USAID), James Hope.

Lajme

09/03/2015 18:32

Si drejtor i ri në këtë mision, Hope ka bërë të qartë se qëllimi i takimit është njoftues dhe se mbështetja për të përmirësuar sektorin e sundimit të ligjit do të vazhdojë.

“Kjo mbështetje përfshin edhe partneritetin me Gjykatën Supreme”, ka pohuar Hope, duke shtuar se është i interesuar për ndërtimin e një raporti konstruktiv me Gjykatën Supreme.

Ai ka siguruar kryetarin Hasani se përmirësimi i sundimit të ligjit do të vazhdojë të jetë prioritet i USAID për Kosovë, dhe ka shprehur interesimin të dëgjojë prioritetet më të nevojshme sa i përket sistemit të drejtësisë.

Hasani ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht ka falënderuar USAID-in për ofrimin e mbështetjes në segmentin e drejtësisë, posaçërisht në gjyqësor.

Kreu i Supremes e ka njoftuar drejtorin e USAID-it për gjendjen në gjyqësor, që nga paslufta, duke vënë theksin në problemet që e kanë përcjell këtë sistem. Ai ka shprehur nevojën e vazhdimit të mbështetjes, posaçërisht në procesin e decentralizimit të kompetencave nga KGJK-ja tek gjykatat, ku, sipas tij, USAID do të mund të ndihmonte me trajnime profesionale për stafin, ndërkohë që e ka cilësuar të mirëseardhur edhe mbështetjen në mbarëvajtjen e projektit për menaxhimin informativ të lëndëve (TIK/SMIL), i cili është duke u zhvilluar me mbështetjen e qeverisë norvegjeze.

Kryetari Hasani nuk ka lënë pa përmendur edhe nevojën për ndihmë nga USAID lidhur me amandamentimin e ligjeve, që po ndodh aktualisht.

Hope i ka cilësuar shumë të rëndësishme këto prioritete duke siguruar se ato do të adresohen.

Një aspekt tjetër me rëndësi që u diskutua në takim, ishte edhe çështja e transparencës me publikun, ku Hasani ka theksuar specifikën e punës në Supreme, ku pikërisht transparenca është më se e rëndësishme.

Ai ka veçuar publikimin e Buletinit të Gjykatës Supreme, i cili u bë vitin e kaluar me mbështetje të OSBE-së, ndërkohë që pas decentralizimit, theksoi se do të ndahet buxhet i veçantë për publikimin e tyre, pasi deri më tash, gjithmonë ka pasur arsyetime për mungesë buxheti nga ana e KGJK-së, gjë që ka pamundësuar publikimin e buletineve.