Uria do të kërcënojë gjithnjë e më shumë botën

Bota do të ketë nevojë për 50 për qind më shumë ushqim në vitin 2050, pasi do të ketë edhe katër miliardë banorë të tjerë të rinj për të ushqyer. Mirëpo, shumë shpejt oferta e ushqimit do të ulet, për shkak të temperaturave në rritje dhe ndotjes nga çarja e ozonit, thotë një studim amerikan.

Bota

28/07/2014 20:07

Si rrjedhim, nivelet e kequshqyerjes në botën në zhvillim mund të rriten nga 18 për qind, aktualisht, në 27 për qind brenda më pak se katër dekadave.

Kërkimet e mëparshme kanë treguar se si temperaturat e larta, ashtu edhe ndotja e ajrit, mund të dëmtojnë bimët dhe të reduktojnë prodhimin bujqësor, por deri tani askush nuk i ka trajtuar këta faktorë në tërësi. Rritja e temperaturave është studiuar gjerësisht, por ndikimi i cilësisë së ajrit në të korrat është më pak i njohur, pohojnë autorët e studimit, transmeton gazeta Shekulli.

Kërkimi i fundit hulumtoi ndikimet që këto ndryshime kanë në prodhimin e katër burimeve kryesore të ushqimit: orizi, gruri, misri dhe soja. Këto të mbjella përbëjnë deri më sot më shumë se gjysmën e kalorive që konsumojnë njerëzit në mbarë botën.

Studimi parashikon se efektet do të lëvizin në mënyrë të konsiderueshme nga rajoni në rajon dhe të mbjellat do të ndikohen më shumë nga njëri faktor, krahasuar me faktorët e tjerë. Për shembull, gruri është më i ndjeshëm përballë ekspozimit ndaj rrezatimit ultraviolet, ndërsa misri më pak i ndikuar nga kjo. Po ashtu, studimi parashikon se njerëzit janë më pak të përgatitur për t’u përballur me ndryshimet klimatike dhe rrjedhojat e tyre.