Turqia mund t’ia ndalojë SHBA-së qasjen në bazën Inxhirlik

Zyrtarët turq kanë lënë të kuptohet se ata mund t’ia ndalojnë koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që po e lufton grupin militant, Shteti Islamik, që ta përdorë bazën e rëndësishme ajrore turke, Inxhirlik, afër kufirit me Sirinë.

Bota

06/01/2017 09:28

Koalicioni e ka përdorur këtë bazë për kryerjen e sulmeve ajrore kundër IS-it, derisa milicitë aleate kurde janë duke u përballur në betejë me luftëtarët e Shtetit Islamik.

Por, për Turqinë, grupi kurd në kuadër të këtij koalicioni është organizatë terroriste sepse ata kanë lidhje me separatistët kurdë që janë në luftë me Turqinë.

“Ne duhet ta themi se përdorimi i bazës Inxhirlik nga aleatët e NATO-s po vihet në pikëpyetje nga populli turk. Prandaj, kjo çështje është në agjenden e qeverisë. Natyrisht, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të verifikohen. Duhet thënë sinçerisht: nëse ekziston një organizatë terroriste e njohur nga të gjithë, përfshirë edhe ne, ajo duhet luftuar së bashku”, ka thënë zëvendëskryeministri turk, Vejsi Kajnak.