Trupat amerikane mbesin në Afganistan

Presidenti amerikan, Barack Obama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara, me kërkesën e Kabulit zyrtar, do të ngadalësojnë tërheqjen ushtarake nga Afganistani, duke mbajtur atje 9.800 trupa deri në fund të vitit 2015 në vend të shkurtimit përgjysmë të trupave, siç ishte planifikuar fillimisht.

Bota

25/03/2015 10:19

Afganistani mbetet një vend shumë i rrezikshëm, tha presidenti Obama duke shpjeguar vendimin e tij në një konferencë shtypi pas vizitës së presidentit afgan, Ashraf Ghani, në Shtëpinë e Bardhë, e para që nga zgjedhja e tij gjashtë muaj më parë.

Presidenti afgan kishte kërkuar nga presidentit Obama të ngadalësonte tërheqjen sepse forcat e sigurisë afgane po përgatiten për një sezon të vështirë luftimesh në pranverë dhe përballen gjithashtu me luftëtarët e “Shtetit Islamik” që përpiqen të rekrutojnë njerëz edhe në Afganistan.

Presidenti Obama tha se ai ende synon që tërheqja e trupave të përfundojë deri në fund të vitit 2016, megjithkëtë, vedimi se sa trupa amerikane do të mbeten në Afganistan, do të merret gjatë këtij viti.

Presidentët, Ashraf Ghani dhe Barack Obama
Presidentët, Ashraf Ghani dhe Barack Obama

Ghani dhe shefi ekzekutiv, Abdullah Abdullah, që drejtojnë qeverinë, janë takuar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, përfshi sekretarin e Shtetit, John Kerry. Bisedimet synojnë përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe të tensionuara nga lufta dhjetëvjeçare dhe përplasjet me ish presidentin afgan, Hamid Karzai.

Gati 9,800 trupa amerikane vazhdojnë të jenë të stacionuara në Afganistan për të këshilluar dhe stërvitur trupat afgane pasi forcat e fundit luftarake amerikane u larguan vitin e kaluar. Presidenti Barack Obama ka njoftuar planet për të shkurtuar nivelin e trupave në 5,500 deri në fund të vitit dhe më pak akoma në kohën kur ai të largohet nga posti në fillim të vitit 2017.

Gjatë bisedimeve dje në vendpushimin presidencial Camp David, të dyja palët ranë dakord që administrata të kërkojë fonde për mbajtjen e forcave afgane të sigurisë në nivelin e tanishëm prej 352 mijë trupa deri në vitin 2017.  Ata njoftuan gjithashtu një plan prej 800 milion dollarësh për Afganistanin për të inkurajuar reforma politike dhe të zhvillimit.