Thaçi: Pjesëmarrja e Kosovës në Paris ishte e jashtëzakonshme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi e vlerësoi si nder të jashtëzakonshëm pjesëmarrjen e Kosovës në Paris të Francës, në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërorë.

Lajme

12/11/2018 21:40

“Duhet të kuptojmë se 100 vjet për një komb janë pak. Por, duke pasur parasysh rrethanat që kishim para një shekulli kur Shqipëria bëhej copë e Kosova as që ekzistonte në hartën politike evropiane, pjesëmarrja e Kosovës në këtë ceremoni të liderëve të botës është ngjarje madhore për afirmimin e shtetit të Kosovës dhe është ngjarje historike për qytetarët e Kosovës”.

Thaçi në Klan Kosova shprehu mirënjohjen për nderimin që i është për Kosovës në një organizim të këtij lloji.

Ai gjithashtu komentoi edhe renditjen në afërsi të liderëve botëror si Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emanuel Macroon e presidenti i SHBA-ve Donald Trump.

“Ka qenë në autoritet të plotë të protokollit të shtetit francez, gjithmonë besoj të koordinuar me të tjerët. Renditja e përfaqësueseve të Kosovës në mesin e liderëve botëror është një nder i jashtëzakonshëm dhe vlerësim për shtetin e Kosovës, për shtetin më të ri të Evropës”.

Presidenti tha se përmes kësaj pjesëmarrje vendet mike të Kosovës kanë shprehur vlerësimin e tyre për përkushtimin e Kosovës për të ardhmen euroatlantike si dhe vlerësimin për investimet e tyre në Kosovë.