Thaçi përkujton Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe Afrim Maliqin: Populli dhe luftëtarët e lirisë ishin një

Nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sot është organizuar Akademia Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së heroit Hyzri Talla dhe bashkëluftëtarëve të tij, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Lajme

03/12/2018 12:46

Zyra e Presidencës, ka bërë të ditur, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se para 20 vjetësh, Kosova humbi dy veprimtarë të shquar dhe një intelektual në moshën më të mirë krijuese.

“Kosova humbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe gazetarin Afrim Maliqi”, u shpreh presidenti Thaçi, shkruan lajmi.net.

Kreu i shtetit ka thënë se në dekadën e fundit të shekullit njëzet, Kosova hyri në një fazë intensive të dhunës sistematike, ndjekjes, burgosjes dhe vrasjeve të shqiptarëve, të ushtruar nga regjimi okupues i Beogradit.

Për t’iu kundërvënë këtyre masave represive, ai theksoi se shqiptarët e Kosovës përdorën të gjitha mjetet e rezistencës politike dhe qytetare.

“Rezistenca civile, artikulimin më të mirë e arriti përmes organizatës politike dhe ushtarake të dalë nga populli, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja në radhët e saj bashkoi njerëzit më të përkushtuar dhe më të gatshëm për të luftuar kundër aparatit policor, ushtarak dhe administrativ të Serbisë. Në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcuar dhe zgjeruar në gjithë Kosovën. Në ofensivat e verës dhe vjeshtës 1998, UÇK-ja u dëshmua një guerile moderne, e pathyeshme dhe e vendosur në qëllimin madhor, çlirimin e Kosovës. Luftëtarët e lirisë dhe populli ishin bërë një, pavarësisht çmimit dhe sakrificës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se një prej luftëtarëve të paepur ishte edhe Hyzri Talla, i cili kishte një përvojë organizimi në organizata patriotike, që nuk e ndalën asnjëherë veprimtarinë kundër okupimit të Kosovës.

“Në kuadër të Zonës Operative të Llapit, Hyzriu kreu me nder dhe përgjegjësi detyra të rëndësishme. Ditën e 2 dhjetor 1998, Hyzri Talla ishte brenda në Prishtinë në krye të misionit të tij si epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Bashkë me Hyzriun ishte Ilir Durmishi, një veprimtar i përkushtuar për të kontribuar me tërë energjitë e tij. Me ta ishte edhe gazetari i talentuar, Afrim Maliqi, shok i idealit të tyre. Vrasja në pritë e këtyre tre veprimtarëve ishte tregues se çfarë rreziku po paraqiste Ushtria Çlirimtare e Kosovës për segmentet e pushtuesit: në fronte, në istikame, në qendra urbane dhe kudo tjetër në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pavarësisht goditjeve dhe humbjeve të bashkëluftëtarëve tanë, kreu i shtetit ka thënë se UÇK-ja arriti të bëhet faktori më i rëndësishëm politik dhe ushtarak në vitet 1998 dhe gjysmën e parë të vitit 1999.

“Për shkak të vendosmërisë, vizionit, orientimit kah vlerat e demokracisë perëndimore, lufta dhe qëndresa e popullit të Kosovës u kurorëzua me sukses. Kosova u mbështet nga bota demokratike, nga SHBA-ja, nga shtetet e BE-së dhe NATO-ja, duke arritur çlirimin dhe lirinë e ëndërruar nga shumë breza. Sivjet Kosova kremtoi 19 vjetorin e çlirimit dhe 10 vjetorin e pavarësisë. Pas realizimit të dy objektivave të mëdha, çlirimit dhe pavarësisë, Kosova e ka të qartë edhe objektivin e tretë, integrimin në institucionet euroatlantike, në BE, NATO dhe OKB”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se liria dhe pavarësia nuk do të vinin pa sakrificën e dëshmorëve të të gjitha kohërave dhe pa luftën madhështore të UÇK-së.

Prandaj, ai shtoi, sot me nderimet më të larta shtetërore kujtojmë dhe nderojmë të rënët më 2 dhjetor 1998, Hyzriun, Ilirin dhe Afrimin.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova u është mirënjohëse përjetë të gjithë atyre që ranë për lirinë e saj. /Lajmi.net/