Thaçi: Pa Kosovën s’ka Ballkan stabil e të integruar në BE

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, në një editorial të shkruar për “EurActiv”, ka bërë një përmbledhje të të arriturave të ministrisë që drejton në 100 ditët e para të qeverisë së re.

Lajme

24/03/2015 17:56

Sipas tij, formimi i Qeverisë dëshmoi edhe një herë se Kosova është shtet me institucione të qëndrueshme dhe me peizazh politik përgjegjës, që respekton institucionet e pavarura, si Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe Presidencën, por që ka edhe synim të qartë forcimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës. Ai ka shkruar edhe për prioritetet e MPJ-së, duke theksuar se prioritet mbi të gjithë të tjerët është integrimi i Kosovës në BE dhe në NATO.

“Nënshkrimi i MSA-së, që edhe më tutje kërkon lobim që të përfundojë sa më shpejt, liberalizimi i vizave si imperativ i kohës për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të lëvizin lirshëm, aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe fitimi i udhërrëfyesit për Partneritet të Paqes me NATO, janë katër veprimet strategjike që duhet t’i zbatojmë në periudhën e mesme, ashtu që ta vendosim Kosovën pakthyeshëm në boshtet kryesore të politikës evropiane të zgjerimit”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi po ashtu ka përshkruar agjendën e ngjeshur të takimeve me liderë të shteteve të rajonit dhe të BE-së në përpjekje për të shtyrë përpara agjendën evropiane të Kosovës. Në këtë editorial, Thaçi ka paralajmëruar edhe mbajtjen e samitit ministror të Ballkanit Perëndimor, ku do të jenë prezentë 12 ministra të jashtëm dhe të transportit të rajonit, si dhe komisionarë dhe zyrtarë të lartë të BE-së, EBRD, Bankës Botërore, etj.

“Ky Samit është vazhdimësi e një procesi të përbashkët të iniciuar nga Gjermania, por me përkrahjen dhe përfshirjen direkt të BE-së, të cilin po e quajmë tani Procesi i Berlinit, ku vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar se do të bashkëpunojnë që të rrisim investimet rajonale në infrastrukturë, energjetikë, bujqësi, etj”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, ideja është që rajoni të tërheqë investime që integrojnë dhe lehtësojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në çdo njërin nga këto shtete. Ai ka shkruar se ky proces nuk është i lehtë, për shkak të kornizave të BE-së.

“Përmbajtja është e rëndësishme dhe pjesëmarrja e barabartë e Kosovës është sinjal i fuqishëm se pa Kosovën nuk mund të imagjinohet Ballkani stabil dhe integrimi i Ballkanit në BE”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi në editorialin e tij ka theksuar se Kosova ka filluar të njihet botërisht për transformimin nga një importuese e resurseve të sigurisë dhe vëmendjes në menaxhim të krizave e deri tek një eksportuese e iniciativave paqësore, të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar. “Në këtë aspekt, roli progresiv që Kosova po e luan në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është përshëndetur edhe nga ministritë e jashtme simotra, përfshirë sekretarin John Kerry dhe komisionarët përkatës evropianë”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, Kosova e ka vendin e garantuar në familjen evropiane të shteteve demokratike.

“Ç’është me rëndësi, Kosova do të jetë edhe prijëse e konsolidimit të paqes në Ballkan dhe hapjes së një faqeje të re të pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Samiti i kësaj jave në Prishtinë është edhe një hap tutje në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm për fëmijët tanë”, ka shkruar Thaçi në editorialin që është botuar në EurActiv.