Thaçi i kërkon BE-së të vlerësojë më mirë kontributin e Kosovës për paqen

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të madh gjatë viteve të saj të pavarësisë, porse siç ka thënë ai, vonesat e Bashkimit Evropian, por edhe të disa shteteve të Ballkanit në normalizim të marrëdhënieve, mund të rrezikojnë këtë progres.

Lajme

23/04/2015 14:01

“Kosova po dëshmohet si kampione e dialogut, e normalizimit dhe e fqinjësisë së mirë, prandaj presim që kontributi ynë të vlerësohet konform punës që bëjmë në paqe-bërjen rajonale”.

Thaçi, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Kosovës, i ka bërë këto komente në samitin e Bërdos, në Slloveni, ku po marrin pjesë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, së bashku me ministrin e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Austrisë dhe atë të Italisë.

Në samitin njëditor të Bërdos, ku po merr pjesë edhe Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, po diskutohet për perspektivën evropiane të shteteve të rajonit dhe për luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe radikalizmit fetar.