Termokosi ka pak mazut, ngutet të marrë avullin nga “Kosova B”

Reduktimet e paralajmëruara të energjisë elektrike do t’i shkaktojnë telashe edhe ndërmarrjes Termokosi, e cila disponon me vetëm 100 tonë rezerva mazuti që mjaftojnë për disa ditë ngrohje të Prishtinës. 

Lajme

29/09/2014 21:44

Prandaj, zyrtarë të Termokosit thonë se janë në finalizim të projektit të ri “ngrohja me avull”, që pritet të vijë nga termocentrali “Kosova B”. Sipas drejtorit të Termokosit, Arsim Janova, ky projekt do të hyjë në funksion nga gjysma e nëntorit, raporton televizioni publik RTK.

Por, sipas tyre, ngrohja nuk është e sigurt sepse reduktimet e energjisë do të ndikojnë edhe në punën e Termokosit.

Sa i përket ngrohjes me mazut, ndërkaq, Arsim Janova, drejtor i Termokosit, thotë se do të startojë më 15 tetor, por shton se momentalisht janë vetëm 100 tonë mazut në dispozicion. Kjo sasi, sipas tij, mundëson furnizim me ngrohje vetëm për dy deri në tre ditë.

Ai thotë se i gjithë fokusimi është në ngrohjen me avull, duke shtuar se nëse ftohet koha do të mundohen të bëjnë zgjidhje deri në funksionalizimin e projektit të ri.

Problem për Termokosin vazhdon të mbetet borxhi i madh i konsumatorëve, që arrin shumën 18 milionë euro.

(RTK)