Të mërkurën përfundon rinumërimi i 695 kutive

Sipas të gjitha gjasave, ditën e mërkurë do të përfundojë procesi i rinumërimit të 695 kutive të votimit që janë për Kuvendet Komunale.

Lajme

06/11/2017 18:55

Të paktën kështu ka bërë të ditur koordinatori në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj.

Ahmetaj ka thënë për lajmi.net se nga 695 kuti, deri më tani janë rinumëruar 521 apo 74.94%.

“Nga 695 kuti  janë rinumëruar 521, apo 74.96% e tyre. Po mendojmë që deri kah dita e mërkurë përfundon ky process i rinumërimit”, ka thënë Ahmetaj.

Koordinatori në QNR tutje ka bërë të ditur se është duke vazhduar edhe numërimi i votave me kusht për asambletë komunale.

Ahmetaj ka treguar arsyet pse ka ardhur deri te vendimi për rinumërimin e këtyre kutive.

“Në bazë të raportit të audimit dhe formularëve të rezultatëve, ka pasur raste kur kandidatët kanë më shumë vota se sa subjekti, rastet kur subjekti ka marrë vota kandidatët jo, dhe kur kandidatët kanë pasur vota, e subjektet jo. Të gjitha këto raste janë ato të cilat nuk kanë mujt me u kalu këto probleme dhe është bërë rinumërimi i tyre.”, ka bërë të ditur Burim Ahmetaj për lajmi.net

Ndryshe Komisioni Qendror Zgjedhor sot ka certifikuar rezultatet zgjedhor edhe në pesë komuna.

Pas përfundimit të numërimit, KQZ do ta bëjë edhe certifikimin e rezultateve për asamble komunale.

Kurse, balotazhi për zgjedhjet lokale do të zhvillohet më 19 nëntor. /Lajmi.net/