Të gjitha udhët çojnë në qorrsokak

Në Bruksel, Washington dhe gjetiu në Perëndim mbizotëron bindja që kosovarët s’janë në gjendje t’i përgjigjen sprovave kryesore me të cilat përballet shteti i tyre.

Opinion

21/09/2016 15:02

Makinë për prodhimin e qorrsokakut.
Në këtë mënyrë, fare të qartë, Richard Holbrooke, diplomati i madh amerikan i cili la gjurmë të pashlyeshme në angazhimin e tij në paqëtimin e Ballkanit, pati përshkruar politikën ndërkombëtare në kulminacionin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Plan pas plani, konferencë pas koference, nismë pas nisme, asgjë nuk sillte ndryshim në synimet e Perëndimit për ta ndalur luftën në Bosnjë.
Dihet çka ndodhi më pas dhe si u tëfillua një herë lëmshi i përgjakshëm i Bosnjës, më pas, edhe ai i Kosovës.
Formulimi i Buldozherit  (nofka ‘diplomatike’ e Holbrook-ut), për makinën që prodhon qorrsokak, duket që i ri fare mirë politikës së sotme kosovare.
Ka kohë që kjo politikë nuk ka çelë udhë për këtë vend dhe për qytetarët e saj.
Ka kohë që politika kosovare është shndërruar në një vend ku përplasen të gjitha llojet e synimeve dhe interesave, pos atyre që kërkojnë zgjidhje për vendnumërimin evident politik dhe ekonomik në të cilin gjindet Kosova.
Ka kohë që kjo politkë po ia humb me të madhe kohën dhe perspektivën këtij shteti.
Ngecja e mbramë që është e njohur për të gjithë, ka të bëjë me trajtimin që ia kemi bërë, të gjithë, temës së Marrëveshjes për vijëzimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Nuk ka në këtë skenën politike vendore kush që mund të di se çka do të ndodhë me këtë Marrëveshje tash e tutje, apo, çka do të mund të bëhet në ndërmarrjen e adresimit dhe madje, zgjidhjes së këtij problemi, i cili ka bllokuar, aktualisht, rrugëtimin tonë për marrjen e të drejtës për të udhëtuar pa viza në Zonën Schengen.
Megjithatë, duket që janë disa elemente apo disa të njohura të këtij ekuacioni politik, të cilat nuk do të ndryshojnë në të ardhmen e afërt në Kosovë dhe në Evropë.
Së pari, edhe pse ne mund të flasim ditë e natë për domosdoshmërinë e gjetjes së një konsensusi në politikën kosovare për këtë çështje, është brutalisht e qartë që ky synim është një iluzion i madh. Dallimet në këtë politikën tonë, fare të natyrshme kudo në demokracinë parlamentare, kanë marrë edhe trajtën e kundërthënieve të patejkalueshme. Pak a shumë, dihet se kush me kë mund të mirret vesh për temën e demarkacionit. Është e vërtetë që shumica dërrmuese e subjekteve politike disi mund të mbërrinë tek pozicioni i përbashkët. Por, jo të gjithat. Diçka e tillë më kurrë nuk do të arrihet në politikën kosovare. Dihet pse.
Së dyti, megjithëse edhe këtu së bashku mund të mallkojmë sa të duam pse na ndodhi diçka e kësisojt, nuk është rendi që BE do të heq dorë nga kriteri i Ratifikimit të Marrëveshjes për vijëzimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si kusht pa të cilin nuk mund të fitohet Liberalizimi i vizave. BE nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim të vetin.
Së treti, nëse brenda pak javësh nuk do të gjejmë disi përgjigje për këtë çështje, është shumë reale të pritet që ‘treni’ për Evropë do të na ikën, dhe që ai tjetri që do të vijë këndejpari, do të mbërri në ‘stacionin’ politik të Prishtinës  (Kosovës), tek në vitin 2018. Viti i ardhshëm është i mbushur me ngjarje dhe zhvillime shumë të rëndësishme për shtetet kryesore të BE-së  (pos tjerash, me zgjedhje në Francë dhe në Gjermani), prandaj, nuk duket pritur që do të ketë vullnet dhe gatishmëri në Bruksel dhe në kryeqendrat evropiane për tu marrë me temën e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Së katërti, duket që ende nuk kemi kuptuar që mungesa e vazhdueshme e vendimmarrjes politike në vend, veçmas për çështjet e rëndësisë sipërore, çfarë është kjo që ka të bëjë me një kufi shtetëror dhe me të drejtën për udhëtim pa viza në Evropë, ka krijuar përshtypje në Bruksel, Washington dhe gjetiu që kosovarët nuk janë në gjendje t’i përgjigjen sprovave kryesore me të cilat ballafaqohet shteti i tyre.
Në përfundim të këtyre katër pikave  (mbase, secili prej jesh do të shtonit edhe disa të tjera), lehtë mbërrihet tek konkludimi që tani jemi në një situatë e cila nuk njeh më alternativa të mira për vendin, por kur duhet zgjedhur atë variantin që është më së paku i dëmshëm.
Apo jo.