Të enjten vendoset për shpërbërjen e Kuvendit

Seanca e së mërkurës mund të jetë hera e fundit kur deputete e kësaj legjislature takohen në një seancë të rregullt. Pas të mërkurës kur do të votohet për EULEX-in dhe Gjykatën Speciale, planifikohet që liderët politikë të takohen dhe të merren vesh për shpërbërjen e Kuvendnit.

Lajme

19/04/2014 11:06

 

Java e ardhshme pritet të nxjerrë vendime të rëndësishme sa i përket skenës politike në vend. Të mërkurën Kuvendi pritet të votojë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Por vendimet nuk ndalen me kaq, pasi liderët e partive politike në vend planifikojnë të mblidhen dhe të merren vesh për datën e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Gazeta Tribuna merr vesh se një takim i tillë mund të ndodhë të enjten, një ditë pasi Kuvendi të nxjerrë vendimin për gjykatën.

“Menjëherë të enjten do të mblidhemi dhe të merremi vesh për datën dhe formën e shpërbërjes së Parlamentit. Nëse ka ujdi, mund të thërrasim një seancë qysh të premten. Besojmë se me harmonizimin e të gjitha partive mund ta hartojmë një tekst të përbashkët me anë të së cilit mund të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar për gazetën Tribuna.

Nëse Kuvendi shpërbëhet të premten ardhshme, atëherë  ligjërisht në dispozicion do të jenë tri data për mbajtjen e zgjedhjeve, 25 maji, 1 dhe 8 qershori.

Kjo bazuar edhe në Kushtetutë, ku thuhet se zgjedhjet e parakohshme mbahen jo më pak se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga dita e shpërbërjes së Parlamentit.