Të detyrohet Serbia të tregojë vendndodhjen e varrezave masive

Në Serbi ka edhe varreza tjera masive, dhe duhet detyruar ky vend që të tregoj vendndodhjen e tyre, thotë Prenkë Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. 

Lajme

24/06/2014 14:10

Deri më tani në Rashkë, janë gjetur 50 trupa në varrezat masive. Ndërsa punimet atje po vazhdojnë, në hapësirën e Serbisë ende ka varreza masive, prandaj kërkojmë një trysni më të madhe nga faktori ndërkombëtar, që Serbinë ta detyrojë të tregoj se ku gjenden varrezat masive. Kështu pohoi, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur Prenkë Gjetaj, në një takim me Delegacionin e Kombeve të Bashkuara të Grupit Punues, Kundër Zhdukjes me Forcë, të cilin e informoi me ecurinë e punës së këtij komisioni, sa i përket personave të pagjetur dhe varrezave masive, të cilat janë hulumtuar dhe po hulumtohen brenda territorit të Kosovës dhe jashtë tij. 

Gjetaj duke folur për varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, tha se përkundër maskimit të gjurmëve të kësaj varreze, është arritur që ajo të identifikohet dhe nga fundi i muajit prill, janë gjetur 50 trupa. 

 “Tani atje punohet. Për numrin e gjetjeve ende nuk mund të japim fjalën përfundimtare. Por rreth 50 trupa deri më tani prej fundit të prillit deri më tani janë eksumu. Normalisht se hasja në mbetje të para njerëzore, ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, gjegjësisht me 13 dhjetor”. 

“Atje ka edhe disa lokacione të cilat duhet të verifikohen. Por kjo na jep me kuptu se në hapësirën e Serbisë, ende ka varreza masive. Prandaj kërkojmë një trysni më të madhe nga faktori ndërkombëtar, që Serbinë ta detyrojë të tregoj se ku gjenden varrezat masive, me faktin se ende kemi shumë të zhdukur”, tha ai. 

Gjetaj tha se dyshohet se në territorin e Serbisë ka ende varreza masive, por se mungojnë të dhënat e sakta.

Ai theksoi se deri tani janë shfrytëzuar të dhëna nga bashkëpunëtorë, nga organizata të ndryshme, mirëpo tani janë në hartimin e një bazë të të dhënave, e cila u mundëson me lehtë të orientohen rreth informacioneve të personave të zhdukur.

Bazë kjo e cila do të jetë e dobishme për të gjithë dhe se dhe familjaret do të kenë qasje, në të dhënat që ndihmojnë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. 

Gjetaj foli dhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke pohuar se janë të pakënaqur me atë që është arritur sa i përket personave të zhdukur. Ndërsa kërkon shtim të përgjegjësisë, në veçanti ndaj atyre që kanë bërë krime. (Kosovapress)