Të afërmit me lot në sy: Mjekët na vranë vajzën!

E reja solli në jetë foshnjën e saj, ndërsa vetë nuk mundi t'ia dilte dot gjatë operacionit, ku sipas mjekëve, gjeti vdekjen si pasojë e një infarkti.

Lajme

11/09/2017 16:53

Të shokuar nga lajmi i hidhur, familjarët e nënës së dy fëmijëve, Elda Beqo kanë akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm ndaj saj, ndërsa bëjnë thirrje që të hetohet ngjarja. Ka qenë daja i Eldës ai i cili mes lotës pohon se vajza nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje:

“Ca thonë që ka vdekur dhe e kanë çuar në morg. S’po merret vesh ça ka ndodhur. As na jep njeri përgjigje. Jemi të shokuar, faji i doktoratës. Ça po bëhet në këtë dynja, s’po merret vesh. Nuk dihet ça po ndodh”.

“Të vdesë vajza e re në lindje, nuk po merret vesh. Ka qenë në rregull, nuk ka pasur asnjë shqetësim. E ka fëmijën e dytë këtë”, u shpreh daja për mediat, ndërsa nuk i mbante dot lotët.

28-vjeçarja Elda Beqo (Limo), e cila gjeti vdekjen pak pas operacionit ku solli në jetë fëmijën e saj të dytë.

Nga të dhënat paraprake, sipas mjekëve, dyshohet se gruaja pësoi infarkt pak pas ndërhyrjes, pasi e lindi fëmijën me operacion.

Mësohet se e ndjera ishte nënë edhe e një djali rreth 5 vjeç. Fatmirësisht foshnja ia doli të mbijetojë dhe gëzon shëndet të mirë.

 

Për të zbuluar më shumë mbi gjithë sa ka ndodhur grupi hetimor së bashku me ekspertët ligjore janë duke kryer veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.