Tahiri: Zhvillim ekonomik i varur nga integrimi i të drejtave pronësore në sistemin e drejtësisë dhe atij financiar

Një vit pas fillimit të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një statusi në rrjetin social ka bërë të ditur për punën nën që po bëhet në sigurimin e të drejtave pronësore.

Lajme

14/03/2018 17:41

 

“Sundimi i ligjit nuk mund të arrihet nëse nuk forcohet sistemi i drejtësisë në sektoin e të drejtave pronësore. Qasja e lirë në pronësi është e garantuar me Kushtetutë, pa dallim. Sot, kur po shënojmë një vit nga fillimi i implementimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Republikën e Kosovës, pata nderin të flas në emër të institucionit i cili shënon edhe angazhimin më të madh në realizimin e objektivave që dalin nga kjo strategji” ka shkruar Tahiri.

Ndonëse është bërë shumë në vetëdijesim, ministri Tahiri e ka pranuar se ende duhet bërë punë në sigurimin e të drejtës në pronësi.

“Ministria që unë drejtoj ka përmbushur të gjitha detyrat që dalin nga kjo strategji në kohën e përcaktuar dhe konform planit të veprimit. Por, ende kemi punë për të bërë, pasi që një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka fare qasje në pronësi. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nëse pronësia nuk është pjesë integrale edhe formalisht me sistemin e drejtësisë dhe atij financiar. Kjo mund të bëhet vetëm nëse pronësia dihet sakte e kujt është, si është përfituar dhe se titullari ka mundësi ligjore dhe praktike të disponojë me pronën dhe ta vendos atë në qarkullim juridik. Prandaj, i kam dhënë prioritet dhe kam alokuar resurset e mjaftueshme të Ministrisë duke e bërë ndër prioritetet kryesore të mandatit tim” ka shkruar Tahiri.

Ministri në fund ka shprehur përkushtimin për ti çuar në fund këto reforma.

“Qartësia juridike në të drejtat pronësore është parakusht për transformim thelbësor të shoqërisë sonë, gjithashtu edhe si parakusht për rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Jam i përkushtuar që këto reforma t’i çoj deri në fund”, ka përfunduar Tahiri.