Tahiri: Erëra të forta pritet të ketë edhe në ditët në vazhdim

Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemeluesi i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti ka thënë se erërat e forta që kanë filluar sot, pritet të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme.

Lajme

24/09/2018 17:35

“Erërat e forta që kanë filluar sot dhe parashihen të vazhdojnë edhe ditët në vijim në vendin tonë, hyn në kategorinë e fatkeqësive natyrore, dhe si të tilla mundë të jenë mjaft të rrezikshme dhe të shkaktojnë dëme, duke filluar nga dëmtimi i shtëpive dhe pullazeve, zhvendosja apo hedhja e objekteve të ndryshme, kontejnerë, shkulja e drunjëve, etj”, ka shkruar Ahmeti.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook u ka bërë thirrje organeve komunale dhe qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm gjatë kësaj kohe.

“Dëmtimi dhe shkatërrimi i kulturave bujqësore, drunjëve dekorativ, e në raste më extreme mundë të kemi edhe rrezikim të jetës së qytetarëve nga goditjet, objektet e ndryshme, kabllot dhe shtyllat elektrike, si dhe rënia e objekteve të ndryshme nga lartësitë”, ka perfunduar Ahmeti.

Ndryshe, erërat e forta gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kryeqytet.