Vizita në Kosovë, Daçiq: Mos më flisni për krime ndaj shqiptarëve

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, askush nuk ka kryer krime në emër të Serbisë, derisa u ka bërë thirrje të gjithë institucioneve dhe personaliteteve serbe që t’i bashkohen luftës për mbrojtjen e pasurisë trashëgimore serbe në Kosovë.

Lajme

10/04/2016 17:48

Daçiqi këto komente i bëri në Graçanicë, ku arriti nën masa të mëdha të sigurisë, dhe u prit nga qindra simpatizantë të tij të cilit mbanin flamuj dhe simbole të tjera të partisë së tij. Mirëpo, në mesin e qytetarëve që prisnin Daçiqin kishte edhe që shprehën pakënaqësinë me zëvendëskryeministrin serb.

Një qytetar është arrestuar pasi në një ndërtesë afër manastirit vendosi një pankartë në lidhje me një afër korruptive të Daçiqit.

Ndërkaq, simpatizantë të Daçiqit kishin përgatitur një foltore, ku pritej që ai t’u drejtohet qytetarëve të Graçanicës, mirëpo ky fjalim u anulua me arsyetimin se ka qenë iniciativë e simpatizantëve, si dhe për arsye protokollare.

Pas arritjes së tij në Graçanicë, Daçiqi i shoqëruar edhe nga djali i tij vizitoi Manastirin e këtij qyteti, ku u takua me kreun Manastirit.

Pas vizitës në brendësi, ku nuk u lejuan qytetarët, Daçiqi foli për krimet e luftës në Kosovë dhe Gjykatën Speciale, dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe fitoren e Serbisë për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Daçiqi tha se me krijimin e Gjykatës Speciale do të procedohen të gjitha krimet e luftës.

“Sa i përket krimeve të luftës janë gjykatat të cilat janë duke punuar në këtë drejtim dhe këto gjykata duhet të konfirmojnë kush ka kryer krime të luftës. Krime nuk ka kryer askush në emër të shtetit të Serbisë, ekzistojnë emra dhe mbiemra të njerëzve dhe në këtë drejtim është duke u punuar”, ka deklaruar ai.

Daçiq tha se së shpejti do të themelohet edhe Gjykata Speciale për krime lufte ndaj serbeve dhe shtoi se të gjitha krimet e luftës duhet të procedohen.

“Siç e dini unë jam lindur në Prizren, i cili ka qenë dikur kryeqyteti i Serbisë në kohën e Car Dushanit, dhe gjashtë – shtatë shekuj pas, atje janë gjithsej rreth 20 serbë. Prandaj, mos më flisni ju mua për krimet e luftës ndaj shqiptarëve. Ku janë të gjithë ata serbë pas këtyre gjashtë-shtatë shekujsh”, është shprehur ai.

Pas mohimit të krimeve të kryera nga serbët në Kosovë, gjatë luftës, Daçiqi në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha se Beogradi po i zbaton të gjithë marrëveshjet e arritura nga dialogu në Bruksel, por u shprehë i pasigurt nëse marrëveshjet po zbatohen edhe nga Prishtina.

“Sa i përket dialogut ai është duke vazhduar, por që pala serbe po insiston që ai të zbatohet plotësisht për shkak të jetës më të mirë dhe mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi…Serbia është duke i plotësua të gjitha marrëveshjet e Brukselit, por nuk jam i sigurt nëse e njëjta po ndodhë me Prishtinën”, tha ai.

Ndërsa, për trashëgimin kulturore të qytetarëve serb në Kosovë, Daçiqi tha se është shumë domethënëse, duke shtuar se ndryshimi i strukturës së popullatës tani nuk nënkupton se dikush mund të marr vendime të njëanshme.

Mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Daçiqi e cilësoi fitore të madhe për Serbinë, duke shtuar se Kosova ka tentuar të anëtarësohet në këtë organizatë pa asnjë marrëveshje me Serbinë.

“Siç e dini ne kemi arritur një fitore të madhe në UNESCO, meqë kemi arritur të pengojmë anëtarësimin e Kosovës, e cila pa asnjë marrëveshje mes nesh ka tentuar të bëhet anëtare e kësaj organizate dhe konsiderojmë se kjo është një temë shumë e rëndësishme për të cilën duhet të bisedojmë, sepse është një çështje e rëndësisë së veçantë për popullin serb, kishën ortodokse serbe dhe shtetin e Serbisë dhe çdo vendim i njëanshëm mund të sjellë vetëm pasoja të dëmshme”, tha ai.

Ai bëri thirrje për mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Kosovë, derisa deklaroi se në Kosovë është cenuar populli serb dhe historia e tij. Daçiq gjithashtu shtoi se nuk duhet të lejohet që për kishat ortodokse të thuhet se janë shqiptare.

“Kisha ftuar të gjithë opinionin kulturor kishtar, shkencor, figurat publike, që t’i bashkohen luftës për mbrojtjen e pasurisë trashëgimore në Kosovë, sepse nuk mjafton të thuhet vetëm se kjo është e jona, por duhet më shumë angazhim nga ana e të gjithë neve… Këtu është cenuar populli serb dhe historia e tij, ju e dini se çka ka ndodhur me kishat… Siç nuk mund të lejojmë që të thuhet se këto janë kisha ortodokse shqiptare, por janë trashëgimi kulturore serbe dhe kështu duhet të vazhdojë të mbetet derisa duam që ta ruajmë popullin serb në Kosovë… Thjeshtë ky është një obligim yni ndaj historisë tonë…”, tha ai.

Para Graçanicës, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiq vizitoi patrikanën e Pejës dhe kishën e Levishës në Prizren.