Të hyrat tatimore shënojnë rritje

Të hyrat tatimore në vitin 2014 kanë qenë inkurajuese. Vërehet rritje në raport me vitet paraprake, duke pasur parasysh që nga viti 2008 kur të hyrat tatimore ishin vetëm 805 milionë euro, ndërsa në vitin 2014 arritën në 1,141 milionë euro. Ndërkaq në qershor 2015 këto të hyra shënuan rritje me rreth 7% në krahasim me periudhën 2014.

Lajme

28/08/2015 17:26

Kjo është bërë e ditur nga raporti i Grupit Punues Qeveritar për Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, ku është diskutuar për raportin vjetor 2014, strategjinë dhe planin e veprimit të rishikuar.

Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, rezultatet e deritanishme të paraqitura në këtë raport janë inkurajuese për faktin se për herë të parë kemi një proces të kompletuar që fillon nga faza e inteligjencës e deri tek faza e zbatimit të ligjit.

Ai ka deklaruar se një përkushtim i shtuar dhe bashkëpunim i vazhdueshëm nga të gjithë akterët është më se i nevojshëm dhe esencial për të pasur një implementim të suksesshëm të Strategjisë, e cila do të dërgonte sinjale pozitive tek investitorët ndërkombëtarë dhe donatorët, se Kosova është vend atraktiv dhe konkurrues për investime.

Për më tepër, nëpërmjet këtij raporti synohet ofrimi i informatave Qeverisë dhe kontribuuesve të tjerë në identifikimin e trendëve të reja të krimit dhe fenomeneve, si dhe praktikave të mira sa i përket parandalimit të ekonomisë joformale dhe krimit financiar.

Agjencitë përgjegjëse për grumbullimin e të hyrave tatimore, sipas një komunikatë të Ministrisë së Financave, kanë vazhduar me përforcimin e aktiviteteve të tyre duke hartuar plane të risqeve me qëllim të identifikimit të fushave ku kemi shmangie nga obligimet tatimore. /KP/