Talibanët akuzohen për vrasjen e gati 300 pjesëtarëve të forcave të sigurisë javën e kaluar

Një zyrtar i lartë i qeverisë afgane i ka akuzuar talibanët se e kanë nisur një valë të sulmeve para bisedimeve të mundshme mes dy palëve, duke thënë se militantët i kanë vrarë 291 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe i kanë plagosur 550 të tjerë gjatë javës së kaluar.

Bota

23/06/2020 09:33

“Java e kaluar ishte më vdekjeprurësja”, shkroi në Twitter Javid Faisal, zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, duke shtuar se talibanët i kanë kryer 422 sulme në 32 provinca, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

“Zotimi i talibanëve për ta pakësuar dhunën është i pakuptimtë dhe veprimet e tyre janë në shpërputhje me retorikën e tyre për paqen”, shkroi Faisal.

Sidoqoftë, një zëdhënës i talibanëve e mohoi shifrën e publikuar nga qeveria, duke thënë se pala tjetër po synon t’i dëmtojë bisedimet dhe procesin e paqes duke lëshuar raporte të rreme.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se grupi i ka kryer disa sulme javën e kaluar, por se ato kanë qenë kryesisht si veprime mbrojtëse.

Dhuna në Afganistan kishte shënuar rënie me rastin e armëpushimit të vendosur për Fitër Bajram, por zyrtarët afganë i kanë akuzuar militantët se i kanë shtuar sulmet në javët e fundit.