Sindikata e Postës i drejtohet Hotit me kërcënim: Do të dalim në rrugë

Punëtorët e Postës së Kosovës nuk kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor të vitit 2020.

Lajme

19/01/2021 13:18

Anipse parashihet që të njëjtit pagat t’i marrin që në ditët e para të muajit, ato nuk po i marrin as thuajse në fund të muajit.

Madje mos-dalja e rrogave në xhirollogaritë e tyre bankare është konfirmuar për lajmi.net edhe nga Kryeshefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi.

Ai tha se vetëm një pjesë e punëtorëve të Postës janë paguar deri më 8 janar, por që menaxhmenti i mesëm dhe i lartë nuk kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor.

“Punëtorët e Postës janë paguar nga data 5 deri më 8 janar, pra rrogat e dhjetorit ndërsa pjesa tjetër edhe e Telekomit edhe e Postës ka vështirësi për shkak të borxhit që ka ndaj Devolli Company.Nuk janë paguar menaxhmenti i mesëm edhe i lartë i Telekomit dhe i Postës së bashku.Rrogat e dhjetorit nuk i kanë marrë ende”, tha Smakiqi.

Por është pikërisht Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës të cilët nesër do të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm lidhur me këtë çështje.

Lajmi.net ka siguruar edhe shkresën të cilin kjo sindikatë e ka drejtuar tek kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me datën 13 të këtij muaji.

Të njëjtit kanë deklaruar se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, që t’i përkrah në marrjen e shërbimeve të shumta që i takojnë ligjërisht, siç e kanë edhe Postat Rajonale, p.sh Posta Shqiptare (ku të gjitha shërbimet shtetërore janë të obliguara të kryhen në këtë postë).

“Me përkrahjen tuaj, ne jemi të gatshëm për fillimin e një epoke të re për Postën e Kosovës, duke bashkëpunuar të gjithë së bashku, që me të vërtet Posta (si Aset i Shtetit) të marr epitetin e merituar”, thuhet ndër të tjerash në këtë dokument.

Madje u theksua se Posta e Kosovës ka ndërmarrë veprime të nevojshme ligjore, për të rimbursuar humbjet të cilat i ka të garantuara me ligj dhe se lidhur me këtë janë marrë opinionet ligjore dhe vendimet gjyqësore të të gjithë mekanizmave institucionale të Republikës së Kosovës.

Ndër të tjerash nga Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës u kërkua që Qeveria e Kosovës, respektivisht MZHE-ja, është e obliguar që t’ia paguajë Postës së Kosovës shërbimin që e kryen me humbje.

Të njëjtit kanë kërkuar marrjen e të gjitha skemave sociale , që të kryhen përmes Zyrave Postare të Kosovës. Gjithashtu të bëhet hapja e zyrave postare, brenda hapësirave të institucioneve shtetërore, komunal dhe të atyre regjionale.

“Për krejt këto, kërkojmë nga ju i nderuar KM, që të mbani qëndrimet ashtu siç na keni premtuar se do ta kryeni pagesën e SHUP-it, do të na përkrahni në zhvillimin e ndërmarrjes sonë, me dhënien e shërbimeve që na takojnë ligjërisht, dhe duke shlyer borxhet që Qeveria respektivisht MZHE-ja, ia ka Postës së Kosovës”, thuhet tutje.

Njëashtu u tha se janë të detyruar të dalin në rrugë për t’i kërkuar shërbime e tyre të cilët kryhen në institucione private e ligjërisht i takojnë vetëm Postës së Kosovës./Lajmi.net/