Ndikimet për Kryeprokuror të Shtetit kalojnë në Presidencë

Aleksandër Lumezi u ka mbijetuar sabotimeve që i janë bërë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, disa prej tyre të dirigjuar nga jashtë, nga klanet e interesit, por edhe nga grupe mafioze të lidhura me politikën. Atij tash i ka mbetur edhe një hallkë për ta kapërcyer. Presidenca! Nëse kjo e fundit do të mund t’ju bëjë ballë këtyre klaneve, politiko-kriminale, prokurori Lumezi më në fund, do të dekretohet Kryeprokuror i Shtetit.

Lajme

12/03/2015 18:56

Zyrtarë të Presidencës janë vënë përballë një presioni të madh e zinxhiror të grupeve të ndryshme të interesit, të lidhura me politikën, me qëllim që të ndikojnë sa të munden tek presidentja Atifete Jahjaga për të mos e dekretuar Aleksandër Lumezin për Kryeprokuror të Shtetit.

“Reagimet e vazhdueshme të Florent Muçajt, i caktuar nga politika si përfaqësues i shoqërisë civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës, kundër përzgjedhjes së Lumezit si Kryeprokuror, pastaj takimi i këshilltarit të presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu me drejtuesin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, si dhe ndikimi i tyre (Muçajt dhe Musliut) për të kompromentuar në vazhdimësi këtë proces, edhe me anë të SMS-ve, ka shqetësuar shumë instanca, përfshi edhe ato ndërkombëtare”, ka thënë me kusht anonimiteti një burimi i lajmi.net.

Sipas këtij burimi, që e ka vëzhguar nga afër garën për Kryeprokuror të Shtetit, i cili ka zgjatur gati një vit, grupe të caktuara të interesit ia kanë arritur të komprometojnë procesin deri në atë masë sa që ai u përsërit. Por meqë disa prej anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk ia dolën ta çojnë përpara agjendën e këtyre grupeve, presioni, sipas këtij burimi, tashti ka kaluar tek disa këshilltarë të Presidencës, e që po kryhet përmes të ashtuquajturve përfaqësues të shoqërisë civile.

“Njerëzit që u përpoqën që me anë të SMS-ve të prishin garën për Kryeprokuror të Shteti, ata të cilët në Këshillin Prokurorial ishin dorë e zgjatur e disa politikanëve të lidhur me grupe të interesit, dhe këto të fundit edhe me grupe mafioze, po përpiqen tashti të stopojnë këtë proces në hallkën e fundit. Po përpiqen të komprometojnë njerëzit përreth presidentes, presidenten dhe vet shtetin, sepse duan një kryeprokuror kukull, ku gjithçka do të vazhdojë të zhvillohet me avazin e vjetër, ku do të ketë korrupsion e krim të organizuar me bollëk, ashtu sikurse deri më tani”, ka thënë ky burim.

“Dihet mirë se kush i ka dërguar kujt SMS-të brenda Këshillit Prokurorial, dihet çdo veprim i anëtarëve të këtij këshilli, edhe i atyre përfaqësuesve të instituteve të shoqërisë civile, dihet se interesat e kujt i kanë përfaqësuar, por megjithëkëtë, mund të thuhet se ky proces, edhe pse i kompromentuar, tashmë ka hyrë në binarë. Tashti mund të komprometohet vetëm Jahjaga, nëse bie pre e ndikimeve që kanë filluar t’i bëhen prej njerëzve rreth saj dhe nuk arrin të reflektojë në kohën e duhur si presidente, për Kosovën”.

Kryeprokurori i deritanishëm i Prokurorisë së Apelit, Aleksandër Lumezi ishte emëruar në muajin qershor të vitit 2014 si Kryeprokuror i Shtetit, përkundër përpjekjeve për ta penguar procesin. Por meqë një muaj më pas, Gjykata Kushtetuese e anuloi vendimin e Këshillit Prokurorial, në garë u futen edhe shumë kandidatë të tjerë, deri në momentin kur e panë se mbikëqyrja e këtij procesi po bëhet deri në atë masë sa që e kanë të pamundur të çojnë përpara agjendën e grupeve të ndryshme të interesit, të përfolur në media edhe si agjendë bandash në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Gjatë këtij procesi u desh të ndërhyjë edhe faktori ndërkombëtar, pasi sabotimet për të penguar përzgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit shkuan deri në paturpësi. Tashti varet nga presidentja se kur do të dekretoj Lumezin, apo do të lërë të vazhdojë kjo “telenovelë e turpshme”. /lajmi.net/