Krimeja e largoi Sllovakinë nga njohja e Kosovës

Aneksimi i Krimesë nga Rusia është një nga shkaqet pse njohja nga Sllovakia tash është një çështje edhe më e largët, ka thënë Millan Niç, ish këshilltar i lartë në Ministrinë e Jashtme të Sllovakisë. 

Lajme

22/10/2014 22:44

Niç, i cili tani është drejtor ekzekutiv i organizatës jo qeveritare sllovake CEPI, thotë se për njohjen ka qenë më optimist para një viti.

“Unë kam qenë më optimist para një viti. Mirëpo ajo që e ka bërë Rusia në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë ka rihapur çështjen shumë të ndjeshme të ndryshimit të kufijve në Evropë, duke minuar aranzhimet që janë bërë pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin evropian. Për këtë arsye ka edhe hezitim për t’u marrë me çështjen e statusit”, ka thënë ai për Indeksonline.

Nga pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, Sllovakia dhe Greqia kanë mbajtur qëndrim shumë më konstruktiv sesa Spanja, Qiproja apo Rumania.

Milan Nië thotë se tani Kosova duhet të bëjë durim derisa situata në Evropë të ndryshojë pas ngjarjeve në Ukrainë, ndërsa vizitat dhe punën e mirë që e ka bërë ministri i Jashtëm në detyrë, Enver Hoxhaj, duhet ta vazhdojë edhe pasuesi i tij.

“Megjithatë ju nuk duhet ta merrni këtë si qëndrim të Sllovakisë kundër Kosovës. Ju e dini që vendi im e ka një ambasador këtu, ka përkrahur me fonde Kosovën dhe përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, kemi njohur pasaportat tuaja, etj.”, tha ai.

Në fund Niç thotë hapur se nuk beson që Sllovakia do të jetë e para nga pesë vendet e mbetura të BE-së që do ta njohë Kosovën.