Jahja Lluka: Riatdhesimi i qytetarëve do të sjellë shumë probleme sociale

Kryesuesi i Departamentit për çështje të diasporës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka ka thënë se Kosova gjithmonë ka pas probleme serioze me migrimin ilegal, por fatkeqësisht, në vend që kjo dukuri të zbutej me kalimin e viteve, kjo ka marrë çdo vit përmasa më të mëdha.

Lajme

03/02/2016 13:49

Ai tha se kjo e ka arritur kulmin gjatë dimrit të vitit të kaluar, kur qytetarët tanë i shihnim duke pritur në rend dhe duke u shtyrë për t’ju ardhur radha që të zënë ndonjë vend në autobus për të lëshuar Kosovën.

“Shkaqet e migrimit të qytetarëve tanë, nëpër vite, kryesisht kanë ardhur si rezultat i problemeve të mëdha ekonomike e sociale, dhe të cilët kanë marr rrugën e pakthim, në kërkim të një jete më dinjitoze. Dimrin e kaluar, Kosova u përball me një fluks të paparë të largimit të qytetarëve të saj, të cilët nuk i përkisnin vetëm një shtrese të caktuar. Vitin e kaluar kemi parë shumë raste të cilët tregonin që kanë shitur gjithçka, vetëm e vetëm, që të largohen nga Kosova”, tha ai.

Sipas tij, largimi ka shumë shkaqe, por në rastin e fundit me të cilin u përball shteti ynë, një ndër arsyet kryesore, fatkeqësisht, ishte edhe mosbesimi në shtet.

“Shteti ynë, përpos që ka dështu në sistemin e drejtësisë, sistemin politik dhe zhvillimin ekonomik, ka arritur gjer në atë shkallë sa qytetarëve te vendit t’ju humbas edhe besimi komplet në shtetin e vet. Atë që e ka dëshiru gjithmonë armiku ynë, për çudi, shteti ynë arriti në një afat rekord ta përmbushë, një Kosovë në zbrazje”, u shpreh Lluka.

Ai shtoi se problemin që sjellë me vete migrimi ilegal, është riatdhesimi i të larguarve.

Sipas tij, Kosovën e presin ditë të vështira pasi që kthimi i atyre që u shpërngulën dimrin e kaluar është i pashmangshëm.

“Me siguri se të gjithë nuk do kthehen, po mjafton të vazhdojë trendi i riatdhesimit sikur gjatë vitit 2015. Gjatë vitit të shkuar, sipas të dhënave janë riatdhesuar rreth 17 mijë persona. Kosova do të ketë shumë probleme sociale, pasi që, shumica e qytetarëve që do të kthehen do të jenë në situatë edhe më të vështirë se para të largoheshin dhe kthimi i tyre paraqet një vështirësi serioze për rifillimin e jetës në Kosovë”, u shpreh Lluka.

Ndërsa, sipas tij, masat që Qeveria i ka ndërmarr janë të pamjaftueshme dhe zgjidhja e problemeve të personave të riatdhesuar, që vitin e shkuar kanë lëshuar Kosovën duhet të jetë më e qëndrueshme.

“…Në mënyrë që të parandalohet problemi ynë i kamotshëm i migrimit ilegal të qytetarëve, duhet sa më parë të fillohet me implementimin e Rezolutës së aprovuar para një viti në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Lluka. /Telegrafi