Gurthemeli i miqësisë së përhershme!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Tracey Ann Jacobson, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, të martën kanë shënuar momentin historik – vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Lajme

05/05/2015 12:00

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës dhe diplomatë amerikanë, Jacobson, Jahjaga dhe Mustafa kanë vendosur nga një lopatë çimento në themelin e ri të objektit të ambasadës së shtetit, i cili nga shqiptarët njihet si një nga vendet që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Prandaj kjo ceremoni e sotme, e cila u shënua edhe me fjalimet e disa prej pjesëmarrësve, vlerësohet edhe si moment historik, si gurthemel i vazhdimit të miqësisë së përhershme mes shqiptarëve dhe amerikanëve, midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vendosja e themeleve të objektit të ri të Ambasadës Amerikane nuk është vetëm një nevojë praktike, por është edhe një tregues se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë raportet e mira dhe miqësinë me Republikën e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Kostoja e objektit të ri të Ambasadës Amerikane, që shtrihet në pesë hektarë tokë, në lagjen Arbëria të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të kushtojë 215 milionë dollarë, ndërsa për ndërtimin e saj do të punësohen rreth 700 punëtorë.

Ndërsa presidentja e Republikës, Jahjaga, tha se ka nderin dhe privilegjin të jetë njëra nga pjesëmarrëset e vënies së gurthemelit të objektit të ri të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë suaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri, qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, tha presidentja.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrahë nesh në momentet tona më sfiduese të shekullit të kaluar dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe të optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj, shtatë vjet më parë”.

“Te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Dhe përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fondamentale dhe ideale të demokracisë, shënojnë edhe një fillim të ri, atë të vendosjes së adresës suaj permanente – si simbol i qëndrueshmërisë”, tha Jahjaga

Objekti i ri i ambasadës do të ketë një ndërtesë të re zyrtare, rezidencën për marinsa dhe disa objekte të tjera ndihmëse, përfshi edhe sektorin konsullor, ku do të kryhen shërbimet për të gjitha llojet e vizave.

YouTube player