Grupet kriminale në veri: Identifikimi e hetimi i tyre i vështirë, koordinimi me aleatët i domosdoshëm

Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se me urdhër të Beogradit, grupet kriminale në veri po synojnë defunksionalizimin e shtetësisë së Kosovës. Madje sipas tyre, institucionet e drejtësisë nuk do ta kenë të lehtë identifikimin e tyre për t’i sjellë para drejtësisë. Krahas vështirësive në vendosjen e rendit kushtetues atje, njohësit e drejtësisë kërkojnë koordinim…

Lajme

25/06/2023 09:42

Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se me urdhër të Beogradit, grupet kriminale në veri po synojnë defunksionalizimin e shtetësisë së Kosovës. Madje sipas tyre, institucionet e drejtësisë nuk do ta kenë të lehtë identifikimin e tyre për t’i sjellë para drejtësisë.

Krahas vështirësive në vendosjen e rendit kushtetues atje, njohësit e drejtësisë kërkojnë koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Avokati Ardian Bajraktari thotë për Ekonomia Online, se përmes aktiviteteve kriminale e protestave të dhunshme, synojnë që ta defunksionalizojnë tërë territorin e Kosovës.

Ai e konsideron fillimisht si problem politik veriun dhe se grupet që operojnë atje janë të dirigjuar nga Beogradi.

“Tani të gjithë e dimë se sa i përket çështjes së veriut para se me qenë problem juridik në radhë të parë është problem politik dhe unë kam përshtypjen që një pjesë e atyre që organizojnë aktivitete të cilat natyrisht që janë në bindjen time kundër rendit tonë juridik, ato janë të dirigjuara prej mekanizmave të caktuar të politikës së Beogradit e cila në radhë të parë insiston që me u defunksionalizu dhe me u destabilizu për aq sa është mundur pjesa veriore dhe pastaj sa kanë hapësirë dhe kapacitetet me defunksionalizu edhe pjesën tjetër të Republikës sonë”, thotë Bajraktari.

Bajraktari ka vlerësuar lartë punën e institucioneve të sigurisë në arritjen e kapjes së të dyshuarve për sulmet në veri.

Ai shpreson se institucionet përgjegjëse do të veprojnë siç parashihet me legjislacion.

“Tani nëse ne presim që ta kemi një konfirmim nga presidenti serb nuk do të ndodh asnjëherë por para se gjithash duhet parë edhe motivet të cilat i shtyjnë të gjithë këta individë por edhe grupet të cilat organizojnë aktivitete të tilla e natyrisht me sa kemi arritur t’i shohim janë për me pengu edhe shtrirjen e sovranitetit por edhe rendit e qetësisë, mirëpo është inkurajuese fakti që një pjesë e tyre, disa prej këtyre janë të ndaluar nga ana e institucioneve tona të drejtësisë dhe po shpresoj që të njëjtit do të veprojnë me efikasitet në vënien së gjithë këtyre para organeve të rendit siç parashihet me legjislacion”.

E avokati tjetër, Musa Damati, e ka vlerësuar si të rëndë gjendjen në veri dhe sfiduese për rendin kushtetues.

“Gjendja në veriun e Kosovës edhe në të kaluarën por sidomos në këto muajt e fundit është jashtëzakonisht e brishtë në bazë të asaj se çka po shohim. Është një sfidim jashtëzakonisht i madh i rendit Kushtetues dhe juridik atje dhe është një sfidë e paprecedent në vendet demokratike me u ballafaqu me një gjendje të tillë kaotike në aspektin e sundimit të ligjit”, thotë Damati.

Ai thotë se Kosova do ta ketë të vështirë identifikimin e grupeve kriminale atje. Ai ka kërkuar koordinim me partnerët ndërkombëtarë për sundimin e ligjit në veri të vendit.

“Çështja është së në veriun e Kosovës në bazë të informacioneve, operojnë grupe të ndryshme me begraund të panjohur dhe realisht është në sfidën e Republikës së Kosovës që të bëhet identifikimi i tyre dhe të vendoset sundimi i ligjit në atë pjesë. Fatkeqësisht Republika e Kosovës në muajt e fundit vetëm se është destabilizuar sa i përket veriut të vendit. Kriminaliteti ekziston në çdo vend të botës, madje edhe në vendet me demokraci të lartë por ajo se çka po shohim është një sfidim serioz i rendit kushtetues dhe juridik i Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit. Unë mendoj se duhet një koordinim më i ngushtë me aleatët ndërkombëtarë por edhe një vendosmëri për të shtrirë sundimin e plotë të ligjit në atë pjesë të vendit”./eo