Tabela shqip e Kërçovës i pengon “intelektualët” maqedonas!

Tabela që tregon kufirin hyrës në komunën e Kërçovës, e cila është e shënuar në katër gjuhë, por që fillon në gjuhën shqipe, i ka irrituar maqedonasit.

Lajme

22/04/2014 22:06

Tabela ku shkruan “Mirë se vini – Komuna e Kërçovës”,  është e shkruar edhe në maqedonisht, anglisht dhe turqisht, ndërsa Jove Kekenovski, nga radhët e VMRO DPMNE-së, ka reaguar ashpër duke kritikuar partinë e tij dhe kandidatin për president Gjorgje Ivanov që po e tolerojnë një gjë të tillë, shkruan Zhurnal.

“Më së lehti është të aktrosh dhe vetëm verbalisht të flitet për patriotizëm, dhe në praktikë të heshtet e të mos ndërmerret asgjë. A është në logon e Ivanovit  “Shteti para së gjithash”? Nëse është ashtu, pse tolerohet mosrespektimi i Ligjit për përdorimin e flamujve dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve”, ka pyetur Kekenovski.

Ku është Ivanovi që ta ftojë qeverinë urgjentisht të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, ka pyetur Kekenovski.

Jove Kekenovski, i cili veten e shet për intelektual maqedonas, disa herë ka mbajtur qëndrime antishqiptare, ndërsa para fushatës zgjedhore publikisht kishte deklaruar se ka ambicie që të bëhet president i Maqedonisë.