Stojanoviq përsërit 10 kërkesat për kthim në institucione

Në kohën kur po pritet kthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës, përfaqësues të këtij subjekti politik, kanë përsëritur kërkesën e tyre për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajme

21/03/2015 14:48

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e kësaj partie, Branimir Stojanoviq, ka thënë se prioritet i serbëve të Kosovës, mbetët formimi i këtij asociacioni.

Ai në një prononcim për mediat serbe, ka përmendur edhe çështjen e privatizimit të ndërmarrjeve publike në ato rajone të banuara me shumicë serbe, duke thënë se ky proces duhet rishikuar.

Stojanoviq ka thënë se lista me 10 kërkesat e publikuar pas takimit të disa dite më parë të mbajtur në Graçanicë, është nevojë serbëve të Kosovës dhe jo ndonjë partie politike.

“Nëse dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe të kenë një qëndrim të sinqertë të serbëve, atëherë kërkohet nga ata që të na dëgjojnë. Prishtina tani mund të tregojë nëse pajtohen vetëm deklarativisht që serbët të qëndrojnë lirshëm dhe të jetojnë në Kosovë, apo dëshirojnë që këto fjalë t’i dëgjojë dikush nga ndërkombëtarët”, ka thënë Stojanoviq, transmeton lajmi.net.

Ditë më parë, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, kishte thënë se përfaqësuesit e Qeverisë janë duke diskutuar me Listën Serbe për kthim të tyre në institucionet e Kosovës, duke bërë të ditur se kthimi i tyre do të bëhet i mundshëm javën e ardhshme. (lajmi.net)