Stefanoviq akuzon BE-në se po negocion me ata që i ngritën barrikadat

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Beograd si pjesëmarrëse në një diskutim me ish-negociatorin serb në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me Kosovën, Borislav Stefanoviq.

Lajme

20/10/2015 14:31

Debati u moderua nga Valerie Hopkins e iniciativës së BIRN për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dialogu.

Debati filloi me origjinën e procesit të dialogut, por shpejt kaloi në një diskutim të nxehtë të përqendruar në përpjekjen e vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Kur e filluam debatin fjala “teknike” ishte fjalë e keqe, për tema jo të rëndësishme”, tha Stefanoviqi.

“Por shumica e këtyre marrëveshjeve siç janë kadastra dhe njohja reciproke e diplomave, kanë ngecur në zbatim. Nuk mund të ketë normalizim pa zgjidhjen e çështjeve pronësore”, shtoi ai.

Stefanoviq ishte negociator në bisedimet e para me Kosovën gjatë qeverisë së Boris Tadiqit.

Tani, ai është një lider majtist i opozitës së vogël Serbe ndaj koalicionit të udhëhequr nga Vuçiq.

“Unë jam i pakënaqur kur i shoh zyrtarët e Bashkimit Evropian duke folur me të njëjtit njerëz që ndërtuan barrikada”, tha ai.

Ai kishte shumë kritika për ish-liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, i cili ka lëshuar gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 8 tetor në shenjë proteste kundër marrëveshjes.

“Ai me siguri mendon që është Skënderbeu apo dikush i tillë”, tha Stefanoviq.

Vjosa Osmani tha se ka votuar kundër marrëveshjes së vitit 2013 mbi “parimet e para të normalizimit”, sepse ato ishin vendosur natën vonë dhe ishin dhënë vetëm dhjetë minuta për të shqyrtuar dokumentin para se ata të votonin për të.

Në panelin e hapjes së konferencës, ambasadori gjerman në Serbi, Axel Dittman tha se ai shpreson që Serbia do të hapë kapitullin 35, i cili merret me Kosovën, dhe kapitullin 32 deri në fund të vitit, për të hapur pastaj kapitullin 23 dhe 24 vitin e ardhshëm. Ai përsëriti se “nuk ka kushte të reja për Serbinë për të hapur kapitujt, por se riafirmimi i vullnetit për të vazhduar dialogun me Prishtinën është vendimtar”.

Joanna Hanson, studiuese në London School of Economics, tha se të dy qeveritë dështuan të paraqesin marrëveshjen në mënyrë adekuate për zgjedhësit e tyre.

Konferenca “Clear on Europe” u organizua nga portali “European Ëestern Balkans ” dhe u mbështet Fondacioni Konrad Adenauer. /kallxo.com/