Specialja, aktakuzat në maj

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë miratuar dje rregullat e procedurës dhe të provave, dy muaj pas emërimit të gjyqtarëve të saj. Gjykata tashmë mund të jetë funksionale në maj të këtij viti

Lajme

29/03/2017 08:19

Gjykata Speciale mund të jetë funksionale pas dy muajve, përkatësisht prej muajit maj të këtij viti. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë miratuar dje rregullat e procedurës dhe të provave, veprim ky që nënkupton se gjykata e re tashmë në aspektin juridik mund të jetë operativ brenda dy muajve.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ia ka referuar dje Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Ky referim vjen pas miratimit të Rregullores së Procedurës dhe të Provave në seancën e parë plenare të gjykatësve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Duke qenë se në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcaktohet se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës nuk është i zbatueshëm në Dhomat e Specializuara, paraprakisht duhej të miratohej Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, e cila rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore në të gjitha nivelet e dhomave të specializuara: Në Dhomën e Gjykatës Themelore, në Dhomën e Gjykatës së Apelit, në Dhomën e Gjykatës Supreme, si edhe në funksionet e gjykatësit paraprak.

Gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese miratuan rregulloren e tyre procedurale që do të përfshihet në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave i kushton rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë të rrezikuar për shkak të dhënies së dëshmisë ose të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara.

Në tërësi, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave synon të fuqizojë paanësinë, drejtësinë, shpejtësinë, efikasitetin, ndershmërinë dhe sigurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara, duke respektuar njëkohësisht Kushtetutën dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut./zeri.info/