Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi. Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë…

Lajme

18/06/2026 08:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi.

Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë e 331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264 mijë e 330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë e 126 vota. Hekuran Murati renditet i katërti me 137 mijë e 810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131 mijë e 841 vota.

Nga partitë e tjera, më i votuari është Bedri Hamza nga PDK me 126 mijë e 936 vota, i renditur i gjashti në nivel vendi.

Në listën e dhjetë më të votuarve figurojnë gjithashtu Xhelal Sveçla me 109 mijë e 263 vota, Vjosa Osmani-Sadriu me 92 mijë e 234 vota, Ejup Maqedonci me 89 mijë e 308 vota dhe Avni Dehari me 89 mijë e 182 vota.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditet i 12-ti me 83 mijë e 892 vota.

Sipas rezultateve përfundimtare të përpunuara, Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave dhe ka siguruar 53 mandate, PDK 19.44% me 22 mandate, LDK 16.69% me 18 mandate dhe AAK 6.74% me 7 mandate.