SPD kërkon formimin e ‘Shteteve të Bashkuara të Europës’

Socialdemokratët gjermanë kushtëzojnë CDU’në.

Bota

11/12/2017 20:11

Shtetet e Bashkuara të Evropës, të cilat do të shfuqizonin pavarësinë ekonomike dhe politike të shteteve anëtare, përfshirë këto edhe të drejtën e vetos, janë qëllimi kryesor i elitës politike të shteteve më të fuqishme anëtare të Bashkimit Europian, të kryesuara nga Gjermania.

Socialdemokratët gjermanë kërkojnë krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës deri në vitin 2025, por një pjesë e demokristianëve të kancelares Angela Merkel po e kundërshtojnë këtë krijesë dhe gjasat për formimin e koalicionit qeveritar mes socialdemokratëve dhe demokristianëve për formimin e koalicionit të ri në Gjermani tani janë të paqarta.

Kryetari i socialdemokratëve, Martin Schulz, ka porositur se partia e tij mund të përfshihet në bisedat për formimin e koalicionit të madh, nëse pranohet një vizion i qartë për ardhmërinë e Evropës. Krijimi i super-shtetit evropian që moti është temë në Gjermani dhe në disa shtete tjera evropiane, në veçanti pas largimit të Britanisë nga unioni.

Një numër i madh i politikanëve euroskeptik kundërshtojnë këtë ide. Gjermania është vendi, të cilit aspak nuk i shkon për shtati shpërbërja e Bashkimit Evropian, ngase kjo do të nënkuptonte se vendi do të humbte tregun, i cili tani është i hapur për kompanitë gjermane.

Për këtë arsye, Shchulz kërkon një kushtetutë të re të unionit dhe ka porositur qartazi se ato shtete, të cilat e refuzojnë kushtetutën e re, mund të ndjekin rrugën e tyre, por jashtë kornizave të super-shtetit evropian.

Edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Zigmar Gabriel, ka deklaruar se krijimi i Shteteve të Bashkuara të Evropës nuk do të nënkuptoi fundin e shteteve kombëtare në kontinentin e Evropës. Ai me këtë rast tha se nëse shtetet e Evropës nuk bashkohen, atëherë zëri i tyre nuk do të dëgjohet në arenën ndërkombëtare.