Spanja kushtëzon pjesëmarrjen në Samit: Kosova vetëm si pjesë e ndonjë komisioni të UNMIK-ut

 Shteti spanjoll po vazhdon me qëndrimet kundër Kosovës. Tashmë qeveria e Spanjës ka paraqitur disa kushte që ndërlidhen me Kosovën, për pjesëmarrjen e tyre në Samitin e BE-së në Sofje që mbahet më 17 maj.

Lajme

18/03/2018 18:04

Gazeta spanjolle El Pais duke u thirrur në burimet e veta ka shkruar për arsyet që Spanja po refuzon të marrë pjesë në Samitin e BE-së në Sofje, por që nuk ka përmendur asnjë deklaratë nga Mariano Rajoy.

Sipas burimeve të gazetës së njohur spanjolle, përkundër bisedimeve që janë zhvilluar mes zyrtarëve të BE-së dhe Spanjës, kryeministri Rajoy ka theksuar se nuk do të marrë pjesë në këtë samit, transmeton Lajmi.net

“Burimet e qeverisë theksojnë se ky pozicion është etik dhe për parime, dhe se nuk ka të bëjë drejtëprdrejtë me situatën konflikuoze në Kataloni muajt e fundit”, shkruan El Pais.

“Spanja nën presidencën e Mariano Rajoy nuk do të shkojë në asnjë samit evropian, apo vend tjetër ku është Kosovës e pranishme”, thuhet më tutje në artikullin e gazetës spanjolle.

Por, qeveria spanjolle ende nuk e ka formalizuar kundërshtimin për këtë samit. Ata po presin deri në momentet e fundit që Kosova të mos merr pjesë në Sofje.

Madje thuhet se Spanja do të pres që Kosova të mos prezantohet si shtet, po brenda ndonjë komisioni të UNMIK-ut, apo administratës së Kombeve të Bashkuara.

“Qeveria e Rajoy ende nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin kundërshtues ndaj këtij samiti, pasi po negocion mundësinë që Kosova të mos paraqitet si shtet. Por, brenda ndonjë komisioni të UNMIK-ut, administratës së Kombeve të Bashkuara. Pra të mos jetë as me flamurin e vet, e as me përfaqësuesit aktualë, për të cilët ka shumë kundërshtime”, citon El Pais burimet e veta.

Ndryshe pikërisht këtë artikull të El Pais, disa nga mediat serbe e shndërruan në fake news. Ato raportonin kinse kryeministri spanjoll e ka quajtur presidentin Thaçi “terrorist”. /Lajmi.net/