Sot Dukagjini, nesër Kosova

Isa Mustafa është shprehur i entuziazmuar me përkrahjen e LDK’së në Istog. Ai tha se kjo mbështetje qytetare i ka dhënë forcë këtij subjekti për t’i fituar komunat e rajonit të Dukagjinit.

Lajme

28/10/2013 13:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot në Istog se fushata e LDK’së dhe përkrahja e programit të saj nga qytetarët, po dëshmon se Haki Rugova nuk do të jetë kryetari i vetëm në këtë pjesë të Dukagjinit.

Mustafa tha se nga data 4 nëntor, Rugova do të jetë njëri ndër kryetarët e tjerë të komunave të Dukagjinit.

“Jam i bindur se qeverisja e LDK’së në Istog, vullneti juaj, i anëtarëve të LDK’së, i simpatizantëve, i qytetarëve të Istogut, i ka dhënë forcë gjithë kësaj pjese të Dukagjinit, që edhe në komunat e tjera sivjet t’i fitojmë zgjedhjet, të fitojmë në Pejë, në Deçan, në Gjakovë, në Prizren, në Suharekë, në Klinë, në Junik dhe në shumë komuna tjera dhe bashkërisht të sigurojmë një etapë të re të qeverisjes”.

“LDK ka bërë një fushatë shumë aktive, shumë dinjitoze edhe në Istog edhe në komunat e tjera, ku do të shënohet një fitore e thellë”.

“Kjo fitore nuk buron vetëm nga dëshira që ne kemi për të qeverisur me vendin, por nga vullneti i qytetarëve të Kosovës që të rreshtohen në programin dhe rrugën e fitores së LDK’së, nga Kamenica në Podujevë, nga Podujeva në Mitrovicë, nga Mitrovica në Junik dhe Deçan, në Prizren, në Dragash, në Kaçanik dhe në komunat tjera”.

“Kemi një përkushtim të madh të LDK’së dhe qytetarëve që ata të kthehen në shumicë programit politik të Ibrahim Rugovës, filozofisë politike të Presidentit Rugova. Ne krenohemi me veprën e tij, krenohemi me ju qytetarë të Istogut, bashkëqytetarë të Ibrahim Rugovës”.

Mustafa tha se përkrahje për Haki Rugovën, nuk është formale, por ajo bazohet në punën që është bërë në Istog.

“Kërkoj besimin tuaj, jo vetëm për një mandat, por edhe për shumë mandate, kërkoj votën për këshilltar komunalë të LDK’së, sepse LDK është ajo që më së miri i adreson dhe prezanton vullnetin e qytetarëve”.

Kandidat i LDK’së për Istogun, Haki Rugova, tha se LDK do të vazhdojë të qeverisë mirë me Istogun.

“Garantoj qeverisje të mirë, të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, së bashku me qytetarët”.

“Vendimi më i rëndësishëm do të jetë më 3 nëntor, kur do të votojmë për numrin 78 për kryetarin e komunës. Ju premtoj se do të qeverisim edhe më mirë se deri më tani”.