Sipas IS, “Hamasi edhe më i keq se Izraeli”

Në Rripin e Gazës janë rritur tensionet midis grupit palestinez të Hamasit dhe mbështetësve të Shtetit Islamik në Jerusalem.

Bota

06/05/2015 21:26

Kulmi ka ndodhur më 3 maj, kur Hamasi ka shkatërruar një xhami që i përkiste mbështetësve të IS-it në qytetin Deir al-Balah.

Mbështetësit e Shtetit Islamik në Jerusalem i janë përgjigjur prishjes së xhamisë me një deklaratë, e cila kërcënon me sulme kundër caqeve të Hamasit, nëse grupi palestinez nuk liron disa militantë të tij, të cilët janë arrestuar në Gaza muajin e kaluar.

Në një llogari në Twitter, që u përket mbështetësve të IS në Jerusalem, është thënë se këta të fundit i kanë dhënë Hamasit tre ditë kohë për të liruar të burgosurit salafistë; në të kundërtën do të përballen me pasoja.

Njëri nga këta të burgosur është Sheikh Adnan Khader Mayyat, salafist radikal, për të cilin Hamasi thotë se ka lidhje me Shtetin Islamik.

Ata po ashtu kanë thënë se “në përgjigje të sjelljes së re të Hamasit”, i shprehin sërish besnikëri liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe i bëjnë thirrje që të forcojë ndikimin e tij në tokat palestineze.

Është e paqartë nëse mbështetësit e IS në Jerusalem kanë kryer ndonjë aksion kundër Hamasit.

Grupi nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e një bombe pranë një objekti të Hamasit në veri të Gazës, më 4 maj, edhe pse aktivistët në mediat sociale ua kanë atribuar sulmin “grupeve salafiste”.

Hamasi po ashtu ka thënë se Shteti Islamik nuk ka prani në Gaza. Por, Matthew Levitt, ekspert për Hamasin në Institutin për Politika të Lindjes së Afërme në Washington, thotë se Shtetit Islamik ka joshur mbështetës edhe në Gaza.

“Shteti Islamik nuk ekziston, por popullariteti ka radikalizuar individë në Gaza”, tha Levitt për Radion Evropa e Lirë.

Në muajin janar është thënë se lideri i IS, al-Baghdadi nuk ka pranuar aleancë me grupet apo individët salafistë në Rripin e Gazës, për faktin se ata janë të ndarë.