Shqiptarët, turp nga HIV/AIDS

Shqiptarët kanë ende turp nëse konstatojnë se janë prekur nga HIV/AIDS. Në Institutin e Shëndetit Publik janë konstatuar raste të cilët pasi janë diagnostikuar nuk kanë pranuar të marrin terapinë vetëm që të mos u merret vesh nga të tjerët se janë prekur nga virusi i HIV/AIDS.

Lajme

16/01/2017 20:13

“Këta persona kanë paragjykime. Ne kemi dhe raste, të cilat me vullnetin e tyre, kanë zgjedhur të ndërpresin terapinë. Unë mendoj se problemi më i madh mbetet stigma”, shprehet Marjeta Dervishi, mjeke epidemiologe, ISHP.

Gjatë vitit 2016 janë diagnostikuar 126 persona të prekur me HIV/AIDS. 60% e të prekurve e kanë mësuar rastësisht se janë infektuar, kur janë paraqitur në spital për një tjetër sëmundje, siç dhe u konstatuan në muajin dhjetor në Sanatoriumin e Tiranës.

“Në këtë rast nuk bëhej fjalë për gripin, por ishin raste që kishin probleme të pneumonisë atipike dhe u konfirmuan si raste HIV pozitiv. Fatkeqësisht kemi 60% të rasteve që vijnë në stadin AIDS, që mund t’i çojë këta persona deri në vdekje”, thotë mjekja.

HIV/AIDS mund të qëndrojë në trupin e njeriut deri në 10 vjet pa shfaqur simptoma dhe neglizhenca për t’u testuar ka bërë që shumë nga të prekurit e kapin në stade të avancuara, kur në fakt mjafton një analizë gjaku për ta mësuar dhe për të vijuar mjekimin me antiretrovirale që ofrohen falas në Shqipëri.

“E para është testimi, diagnoza e hershme dhe një person me HIV mund të jetojë për shumë vite, pra të kthehet në një infeksion kronik, ashtu siç janë dhe sëmundjet e tjera”, thotë Marjeta Dervishi.

Dhjetori që lamë pas humbën jetën tre persona, një vajzë 34 vjeç nga Vlora dhe dy djem rreth të dyzetave nga Lezha, të cilët e mësuan se ishin prekur në stad të vonë kur as mjekët nuk mund të bënin asgjë. Gjatë 2016 humbën jetën 17 persona.