Shpend Ahmeti akuzohet nga LDK për mentalitet çoroditës

Grupi Parlamentar i LDK-së në asamblenë komunale të Prishtinës ka reaguar me një komunikatë për media në lidhje me veprimet e administratës të cilën po e udhëheq kryetari Shpend Ahmeti.

Lajme

18/01/2015 12:00

“Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti po instalon udhëheqje në ndërmarrjet publike si në kohën e pastrimeve komuniste dhe të regjimeve diktatoriale! Sipas tij, çdo gjë dhe çdo njeri që ka punuar në komunë duhet t’i nënshtrohet një hetimi a përjashtimi”, thuhet në komunikatën e këshilltarëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës.

Sipas tyre, në ndërmarrjet publike lokale, pa përfillur asnjë procedurë ligjore po vepron mekanizmi i Shpend Ahmetit dhe zyrave të Vetëvendosjes që sa më shpejt të përmbushin agjendat e tyre për punësimin e eksponentëve dhe militantëve të tyre politikë të qendrave të tjera të VV nga jashtë Prishtine, duke shkelur të gjitha normat ligjore, transmeton KosovaPress.

Ky grup bën të ditur se u ka rënë në dorë dokumenti i përgatitur për mbajtjen e mbledhjes së Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, sipas të cilit dokument janë vetëm dy anëtarë, nga gjithsej 4, nënshkrues për thirrjen e mbledhjes emergjente, që sipas rendit të ditës duhet të marrë vendim për zgjedhjen e kryesuesit dhe për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje.

“Është i pakuptimtë dhe kundërligjor veprimi që ende pa u konstituuar Bordi të thirret mbledhja emergjente. Është i pakuptimtë dhe kundërligjor veprimi se do të jetë online në mbledhje, përmes skype, nga një vend tjetër, edhe anëtarja e tretë e bordit, Shqipe Breznica”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, ky veprim do të shënojë “rastin më interesant dhe të mentalitetit çoroditës që po instalon Shpend Ahmeti për të arritur qëllimin të shkelen ligjet dhe të mos zgjidhet asnjë tjetër mjet. Grupi parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës nuk do ta pranojë asnjë vendim të paligjshëm, kushdo që e merr atë”, thuhet në komunikatë.