Shkolla e mirë e AAK’së

Ramush Haradinaj shprehet i sigurt në fitoren e AAK'së në Therandë. Ai flet për dy shkolla: Ajo e AAK'së, pa hile, dhe shkolla e të tjerëve - me mashtrime.

Lajme

29/10/2013 17:25

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Therandë, e bindur se do të vazhdojë ta qeverisë edhe në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar këtë Komunë.

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se është i sigurt në fitoren e kandidatit të kësaj partie, Bali Muharremaj.

“Dita e sotme vërteton se ju keni aq energji dhe aq fuqi, jo vetëm që mund t’i mbani përgjegjësitë për Therandën, po ju mund ta ndihmoni Kosovën në mënyrën më të mirë”.

“Ju sot po e vërtetoni fitoren e juaj, një fitore që bazohet në punë, në punë të mundimshme, jo të lehtë, të mandatit qeverisës të Kryetarit më të suksesshëm Blerim Kuçit”.

Ai tha se Bali Muharremaj është emri që ka zotësinë të vazhdojë punën e Kuçit në këtë vend.

“Unë përditë po shoh diçka në Therandë. Mandatin që po vjen me Bali Muharremin do ta shohim vazhdimin, një vazhdim që do të  na befasoi për të mirë”.

“Jam shumë i bindur që ai të gjitha përvojat e Blerimit dhe të gjitha zotësitë e tij do t’i vë në funksion të qytetarëve të Therandës”.

“Bali Muharremaj është vetë i mirë, por e ka edhe shkollën e mirë, e shkolla jemi ne të gjithë, është Aleanca, është një shkollë pa hile e pa mashtrime”

Ramush Haradinaj ka folur për dy shkolla në politikën kosovare. Shkolla e AAK’së, për të cilën tha se është e mirë dhe e sinqertë. Dhe shkolla e PDK’së e LDK’së, ndonëse nuk i përmendi me emra, e cila, sipas tij, është shkollë me mashtrime.

“Shkolla e atyre që qeverisin sot në nivel nacional ka qenë me mashtrime, e mashtrimet po dalin. Tash e kanë kuptuar edhe ata vetë që po ikin prej asaj shkolle”.

“Shkolla e tjerëve që dëshirojnë të rikthehen është mashtrim, sepse ata vetë e kanë prishur atë shkollë, kur më së shumti populli ka pasur nevojë për të. Ajo është shkolla që s’ka gjetur vend për djalin e themeluesit, dihet që është mashtrim”.

Kryetari aktual, Blerim Kuqi, kërkoi nga qytetarët që dje e votuan atë si Kryetar, që sot ta votojnë Bali Muharremajn.

“Vota për Bali Muharramajn, për numrin 62, është votë për zhvillimin e përshpejtuar në Therandë”.

“Vota për Bali Muharramajn, për numrin 62, është votë për zhvillimin e përshpejtuar të Kosovës me Kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinaj”.

“Vota për Bali Muharramajn është votë për politikat djathtiste” .

Vetë Kandidati i AAK’së, Bali Muharramaj, tha se fitorja është vendosur qysh sot në këtë tubim.

Ai, madje, bëri edhe betimin e Kryetarit, para mbështetësve tët tij.

“Unë betohem para jush se me përgjegjësinë më të lartë dhe me nder do ta mbajë postin e Kryetarit të cilin ju qytetarët të nderuar do ta konfirmoni më 3 nëntor”.