Sherifi: Qeveria po tensionon situatën, do jemi në Kuvend për të kundërshtuar demarkacionin

Sekretari i NISMA-s për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë se është qeveria ajo që po kontribuon në tensionimin e situatës politike.

Lajme

09/08/2016 18:28

Bilall Sherifi në një prononcim për Lajmi.net ka thënë, se pozita më çdo kusht po tenton ta procedojë versionin aktual të marrëveshjes së demarkacionit pa miratimin e opozitës.

“Insistimi i mazhorancës që me çdo kusht ta procedojë në Kuvend verzionin aktual të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi pa një marrëveshje paraprake mes mazhorancës dhe opozitës që kjo marrëveshje të rrëzohet në Kuvend dhe të hapet rruga për të filluar një proces të ri vetëm sa do t’i kontribuojë tensionimit të situatës”, tha Sherifi.

Sherifi thotë, se Qeverinë e Kosovës nuk po i mbron interesat e Kosovës, por interesat e Malit të Zi, shkruan lajmi.net.

“Përgjegjësia për tensionim të situatës bie mbi Qeverinë e Kosovës sepse ata në vend se të mbrojnë interesat e vendit të tyre, janë vënë në mbrojtje të interesave të Malit të Zi”, theksoi ai.

Sherifi tha poashtu, se ky version i demarkacionit nuk do të kalojë dhe se NISMA insiston që demarkacioni të mos shkoj në Kuvend pa marrëveshje mes pozitës dhe opozitës.

“Prandaj, mendoj se është koha e fundit që qeveria të kuptojë se ky version i demarkacionit nuk duhet të kalojë. NISMA insiston që kjo marrëveshje të mos sillet fare në seancë pa një marrëveshje paraprake mes mazhorancës dhe opozitës për ta rrëzuar këtë version”, u shpreh Sherifi për lajmi.net.

Sekretari i NISMA-s rikujtoj se edhe nëse deputetët e NISMA-s marrin pjesë në seancën për demarkacion ajo do të jetë vetëm për të kundërshtuar.

“Por nëse sillet në seancë atëherë deputetët e NISMA-s do të marrin pjesë për ta kundërshtuar këtë version të marrëveshjes”, theksoi ai.

Sherifi bëri thirrje për “deputetët e Mazhorancës që publikisht të deklarohen se do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje”,  sipas tij e gjithë kjo do të ishte “një tregues se marrëveshja si e tillë nuk do të kalojë dhe në këtë mënyrë di t’i kontribuonte shtensionimit të situatës”. /Lajmi.net/