Shërbimet spitalore universitare përballen me mungesë të infermierëve

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës përballet me mungesë të infermierëve. Profesionistët shëndetësorë e shohin urgjente nevojën e pranimit në punë të 100 infermierëve. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kërkojnë nga qeveria rritje të  buxhetit.

Lajme

19/09/2017 09:10

Infermierët e punësuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës vazhdojnë të barten nga reparti në repart, ndonëse fillimisht  ata pranohen për një pozitë të caktuar. Kjo ndodh  si pasojë e mungesës alarmante të infermierëve.

Drejtoresha e Infermierëve, Lirije Beqiri, shpjegon se kjo situatë rrjedhimisht ndikon edhe te pacientët. Në politikat shëndetësore më afatgjate, Beqiri thotë se Qendra Terciare ka nevojë për 400 infermierë, derisa 100 janë të domosdoshëm.

Mungesa është shumë e madhe. Mund të them se 60 % e stafit të infermierëve e përbën krejt stafin spitalor. Pranime të reja, edhe pse ka pasur kërkesa ende nuk i ka marrë askush seriozisht. Nevoja urgjente është për 100 infermierë , tha Lirije Beqiri.

Shefi për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, i njoftuar për problemin tashmë që ka SHSKUK-ja, thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të rritur numrin e stafit. Megjithatë, Hoti thotë se çështjen e kanë adresuar në qeveri.

QKUK-ja ka nevojë për rritjen e numrit të stafit të mesëm, siç janë infermierët dhe teknikët. Ata në vazhdimësi kanë adresuar kërkesa, por Ministria e Shëndetësisë, si udhëheqëse e këtij sektori, në vazhdimësi i ka adresuar te nivelet me të larta politike, siç është qeveria e vendit”, tha Faik Hoti .

Me standarde profesionale do të duhej që një infermier të kishte në përkujdesje një pacient. Në Qendrën Terciare kjo është e pamundur, një infermier shpesh shërben për 4 pacientë. Në disa raste familjarët e pacientëve asistojnë apo përcjellin të sëmurin përgjatë gjithë hospitalizimit të tij./RTK