Shenjat e mira

Franca dënon dhunën e ushtruar nga një pakicë e radikalëve që janë kundër normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pak para mbylljes së disa vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Lajme

06/11/2013 15:19

Franca ka përshëndetur mbarëvajtjen e përgjithshme të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë më 3 nëntor 2013.

Këto ishin zgjedhjet e para lokale të organizuara në gjithë territorin e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, në reagimin e saj, thotë se niveli i pjesëmarrjes ishte përgjithësisht i kënaqshëm, gjithashtu edhe në komunat serbe të jugut të Kosovës.

“Kjo është një shenjë e pranimit gjithnjë e më të madh të institucioneve të Prishtinës nga komuniteti serb. Ky është një hap pozitiv për demokracinë në Kosovë”.

“Mbarëvajtja e përgjithshme e këtyre zgjedhjeve u takon të gjitha palëve, në Beograd ashtu dhe në Prishtinë, të cilët kanë favorizuar pjesëmarrjen e mirë të votuesve në këto zgjedhje. Ajo i takon shumë edhe rolit të lehtësuesit i cili i ishte dhënë OSBE-së në katër komunat në veri të   Kosovës. Kjo është po ashtu fakt i angazhimit të Unionit Evropian dhe misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve që ka ardhur me këtë rast”.

Megjithatë, Franca, thuhet në njoftim, dënon dhunën e ushtruar nga një pakicë e radikalëve që janë kundër normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pak para mbylljes së disa  vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Ajo dëshiron që të ndriçohen këto incidente, të cilët u kanë penguar disa qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre civile dhe politike”.

“Franca përgëzon Përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Unionit Evropian, znj. Catherine Ashton, e cila pret, sot më 6 nëntor, në Bruksel, drejtuesin e qeverisë kosovare  dhe drejtuesin e qeverisë serbe për të diskutuar për vazhdimin e procesit zgjedhor dhe implementimin e tërësishëm të marrëveshjes së arritur më 19 prill”.

“Normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve, për të cilin Franca bën thirrje, duhet të vazhdojë me vendosmëri”.