“SHBA mund t‘i dorëzojë Pentagonit çështjen e Koresë së Veriut”

Haley: "Problemin e Koresë së Veriut mund t'ia dorëzojmë me kënaqësi gjeneralit Mattis sepse ai ka shumë alternativa ushtarake"

Bota

18/09/2017 11:38

 Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, tha se Këshilli i Sigurisë i OKB-së ka ezauruar alternativat për të marrë nën kontroll programin nuklear të Koresë së Veriut dhe se SHBA-ja mund t‘i të dorëzojë Pentagonit çështjen e Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Haley në një deklaratë për televizionin CNN tha se “Nëse Koreja e Veriut do të vazhdojë në mënyrë të pakujdesshme programin bërthamor SHBA-ja do të jetë e detyruar të mbrojë veten dhe aleatët e saj dhe Koreja e Veriut do të eliminohet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, por ne nuk duam luftë”.

Ndër të tjera Haley ka theksuar se kanë vlerësuar të gjitha opsionet që kanë dhe se mbi tryezë ndodhen edhe opsionet ushtarake.

Për pyetjen rreth kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, Haley është përgjigjur: “Nuk ka qenë kërcënime boshe. Ne jemi treguar përgjegjës për sjelljen e papërgjegjshme të Koresë së Veriut dhe kemi provuar të gjitha rrugët diplomatike. Pothuajse kemi ezauruar të gjitha opsionet që mund të kryejmë në KS-OKB. Problemin e Koresë së Veriut mund t’ia dorëzojmë me kënaqësi gjeneralit Mattis sepse ai ka shumë alternativa ushtarake. Ne si persona përgjegjës duam të provojmë të gjitha rrugët diplomatike dhe nëse kjo nuk funksionon me këtë do të merret gjenerali Mattis”.