Shamia s’është obligim për myslimanet, ‘ferexheja’ është e ndaluar në Islam

Bartja e shamisë  nga femrat, sipas islamit nuk është detyruese. Kështu u shpreh në Prishtinë, Shirin Ebadi, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituese e çmimit Nobel për paqe në vitin 2003.

Lajme

31/05/2016 18:35

Deklaratën e saj ajo e bëri në Prishtinë, në ditën e parë të konferencës  “Interfaith Kosova”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovë, raporton lajmi.net.

Ajo tha se ky është interpretim që vjen nga dijetarë të njohur islam. Deklarimi i saj pasoi pyetjen se si ajo si myslimane që është, nuk bartë shami.

“Bartja e shamisë është opsionale. Varet se si ajo zgjedh dhe nuk është detyrim për femrën”, tha Ebadi, raporton lajmi.net.

Megjithatë, ajo tha se ka respekt për gratë që e bartin, ndonëse kjo nuk është detyrim për to.

Në këtë konferencë ku po marrin pjesë 300 persona nga shumë vende  të botës dhe e cila do të zgjasë tre ditë, nobelistja Ebadi foli edhe për ‘Burkan’, me të cilën disa femra myslimane, përveç  tërë trupin, mbulojnë edhe fytyrën në tërësi, raporton lajmi.net.

Ebadi foli edhe për dicka që femra myslimane e ka të ndaluar. E ajo tha se është pikërisht ‘Burka’ ose ‘Ferexheja’.

“Burka është e ndaluar tërësisht në Islam dhe nuk bën të bartet nga femra myslimane”, tha ajo.

“Burka është haram”, tha Ebadi, duke dhënë shpjegimin se përse konsiderohet e tillë. “Presupozohet se femra duhet të shkojë në pelegrinazhin e Mekës në haxh. Atje fytyra e saj duhet të jetë e hapur dhe jo e mbuluar”, tha nobelistja Ebadi, raporton lajmi.net.

Në konferencën ‘Interfaith Kosova’, po marrin pjesë mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, përfshi edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Interfaith

Temë e diskutimit është roli i gruas në luftimin e ekstremizmit. Për këtë arsye, në  Prishtinë kanë arritur edhe Nobelistet e paqes Shirin Ebadi dhe Tawakkol Karman.

Në këtë konferencë sivjet po marron pjesë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigeria, dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë rruzulli tokësor.

Konferenca titullohet “Roli i Gruas në Promovimin e dialogut Ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit” dhe është e organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, Tony Blair Faith Foundation ndërsa mbështetës janë Ministria e Jashtme, Kuvendi, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Konferenca ‘Interfaith Kosova’ sivjet do të ndajë edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar që sivjet do ta marrin Kryetari i Londrës Sadik Khan dhe Monsignor Vincenzo Paglia./lajmi.net