Selimi pret që nesër do të ketë vendim pozitiv për UNESCO

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi thotë se Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s, nuk ka arsye që të vazhdojë ta mbajë të izoluar Kosovën.

Lajme

20/10/2015 13:33

Ai pret që nesër, shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, të votojnë pro anëtarësimit në këtë organizatë, e cila mbronë trashëgimin kulturore dhe historike.

“Serbia është duke zhvilluar një fushatë të egër kundër Kosovës. Ne kemi shpresa nesër në ora 15 se Komiteti Ekzekutiv do ta respektojë nevojën e Kosovës që të mos izolohet dhe se jo më shume se 20 shtete do ta përkrahin Serbinë. Pastaj do të fokusohemi në Kuvendin e Përgjithshëm të UNESCO-s që mbahet me 9 nëntor”, ka thënë Selimi për Indeksonline.

Zëvendësministri Selimi është optimist që shumë shtete, përkundër që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nesër do ta ndihmojnë vendin në anëtarësimin e saj në UNESCO.

“Ne llogarisim që mjaft shtete që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë pro-Kosovës në UNESCO. Edhe Greqia tashmë e ka deklaruar votën e vet pro Kosovës”.

Zv/ministri Selimi ka folur edhe për ruajtjet e monumenteve kulturore- historike të Kosovës, që Serbia pretendon se i ka në Kosovë.

Selimi është shprehur se edhe manastiret edhe xhamitë do të kenë mbrojtje të njëjtë dhe përkujdesjen e shtetit.

“Kosova do t’i ruajë me xhelozi së bashku me bashkësinë ndërkombëtare të gjithë margaritarët e arkitekturës dhe trashëgimisë në Kosovë, pavarësisht prej fesë. Si manastiret ashtu edhe xhamitë kanë mbrojtje dhe ne nuk kemi ndërmend ta ndërrojmë karakterin e Republikës sonë si shtet sekular dhe shumë-konfesional”, ka thënë Selimi.

Nesër pritet që Kosova të futet në agjendën e diskutimit të UNESCO-s për tu bërë anëtare me të drejta të plota. Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.