Rusia kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të KS të OKB

Rusia ka kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do ti kushtohej gjendjes në Ukrainë, në pjesën lindore të së cilës, sipas Rusisë popullsia kanoset nga një katastrofë humanitare. 

Bota

05/08/2014 22:42

Për ndërmarrjen e këtij hapi të Rusisë, foli përfaqësuesi i saj i përhershëm në OKB, Vitalij Çurkin, i cili i tha agjencisë ruse të lajmeve Itar Tass që shpreson se mbledhja e jashtëzakonshme do të mbahet sonte vonë sipas kohës sonë.

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se situata në krahinat Donjeck dhe Lluhansk është buzë katastrofës humanitare.

Kjo nismë e Rusisë vjen si pasojë e depërtimit gjithnjë e më të madh të forcave të sigurisë së Ukrainës drejt Donjeckut, ku forcat pro-ruse po humbin terren gjatë ditëve të fundit.

Rusia, ndërkaq, e ballafaquar me vendosmërinë e Perëndimit për sanksione të ashpra, duket sikur e ka humbur vullnetin për të ndihmuar akoma separatistët pro-rusë dhe tani po kërkon zgjidhje paqësore.