Rusët zaptojnë një ndërtesë qeveritare në Krimea

Tensionet në Ukrainë nuk po bien. Dhjetra persona të armatosur kanë zaptuar ndërtesat e administratës së qeverisë së rajonit të Krimesë në Ukrainë dhe ngritën flamurin rus mbi të. Presidenti i Ukrainës i thotë Rusisë të rrijë larg.

Bota

28/02/2014 07:00

Dhjetra persona të armatosur kanë zaptuar ndërtesat e administratës së qeverisë së rajonit të Krimesë në Ukrainë dhe ngritën flamurin rus mbi të, duke sfiduar liderët e rinj të këtij vendi.

Krimea, një gadishull i Detit të Zi, me shumicë etnike ruse, është një bastion i madh i kundërshtarëve të liderëve të rinj politikë ukrainas pas rrëzimit të aleatit të Rusisë, ish Presidentit Viktor Yanukovych.

Por Presidenti i përkohëshëm i Ukrainës, Olexander Turchynov ka paralajmëruar Rusinë që të mos ndërmarrë ndonjë ‘agresion ushtarak’ në Krime.

Turchynov ka thënë se trupat ruse nga Flota e Detit të Zi nuk do të duhej të dilnin jashtë bazës së tyre detare në Sevastopol.

Paralajmërimi vjen pasi burra të panjohur e të armatosur uzurpuan parlamentin rajonal të Krimesë dhe selinë qëndrore të qeverisë së këtij rajoni autonom, me popullsi shumicë ruse.

Ndërkohë, parlamenti i Krimesë ka thënë se dëshiron të mbajë një referendum përkitazi me vetë-udhëheqje më të madhe.

Një gjë e tillë do të paraqiste një sfidë të veçantë për autoritetet e reja në kryeqytetin e Ukrainës Kiev, vlerëson BBC.