Rritet akciza për duhan e alkool, hiqet kufizimi për vjetrërsinë e veturave

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka aprovuar vendimet e Qeverisë që kanë të bëjnë me rritjen e akcizës në duhan, pije alkoolike dhe vendimet për ulje të akcizës në veturat e importuara sipas viteve të amortizimit dhe fuqisë motorike, vajra për ngrohje.

Lajme

24/03/2015 18:15

Komisioni për buxhet ka mbajtur një mbledhje urgjente me qëllim që të aprovojë vendimet e fundit të Qeverisë që kanë të bëjnë me financat.

Këto vendime të Qeverisë i ka arsyetuar para komisionit ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se vendimet janë të përafërta me direktivave e BE-së.

“Direktiva e BE-së kërkon që minimumi i akcizës së aplikueshme në aplikohen nga viti 2014 të jetë 90 euro për 1 mijë copë, ndërkohë që ne e kemi 32 euro, tash po planifikojmë ta çojmë në 35 euro. Normalisht, për shkak të dallimeve që i në të ardhura, ne jemi larg arritjes të kësaj vlere të akcizës”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, ai ka thënë se me ketë vendim është propozuar heqja e normës së akcizës në alkoolin medicinal për të cilin është krijuar kod i veçantë doganor me të cilin do të merret dogana.

“Tek akciza në vetura, propozojmë që të hiqet vjetërsia, kufizimi në vjetërsi që ka qenë më herët deri në 30 vjet, duke i rishikuar edhe normat përkatëse sipas vjetërsisë dhe me arsyetimin që qendrat e kontrollit teknik të veturave do të sigurojnë gjithmonë që me rastin e importit të vetura të sigurohemi që çështjet e emetimit të gazrave e tjera të jenë në përputhje me direktivat evropiane”.

Hoti ka shtuar se është studiuar tregu dhe është parë që edhe në vendet e BE-së lejohet të operojnë vetura më të vjetra se 30 vjet. Po ashtu, ai ka bërë të ditur edhe për vendimin për vajin për ngrohje që kanë vendosur që të sigurohen që të zvogëlohet informaliteti në këtë fushë.

Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës, ka treguar se cilat kategori të qytetarëve janë të liruar nga pagesa e doganës për import të veturave.

“Ka vetura që janë të liruara prej doganës që janë për kategori të caktuara, për shembull misionet diplomatike, kategoria e invalidëve të luftës, personat me nevoja të veçanta ta quaj kështu, janë organizatat joqeveritare”, ka thënë kreu i Doganës.

Besa Gaxherri, anëtare e këtij komisionit, ka thënë se Kosova është e mbushur me automjetet të vjetra mirëpo, sipas saj, Kosova është vend i varfër dhe i duhen ato.

Komisioni nuk e ka miratuar kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.

Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë se komisioni jep rekomandim vetëm për çështjen që i takon këtij komisioni.

“Me ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015 janë ndarë 4.5 milionë euro për mbulim të shpenzimeve të energjisë elektrike për përfituesit e familjeve në rastet sociale, kurse në rishikimin e buxhetit për vitin 2015 nuk mund të ndahen mjetet shtesë buxhetore për këtë qëllim”.

Osmani ka thënë se qeveria duhet sa më shpejtë të procedojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për TVSH dhe të propozohet zbritja e këtij tatimi për mallrat e shportës së konsumatorëve. /Kosovapress/