Rrisim paga, 100 për qind

Një premtim të madh, i cili do t’i konsolidonte financiarisht arsimtarët, punëtorët e shëndetësisë dhe nëpunësit tjerë, është bërë sot nga Kryeministri Hashim Thaçi në Mitrovicë. Ai premtoi rritje të pagave 100 për qind për këto kategori.

Lajme

27/10/2013 22:00

Në javën e fundit të fushatës zgjedhore, liderët kosovarë kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj elektoratit. Ka më shumë premtime, më shumë thirrje për mbështetje e më shumë lavdata për arsimtarët, punëtorët e shëndetësisë etj.

Një premtim të madh, i cili do t’i konsolidonte financiarisht arsimtarët, punëtorët e shëndetësisë dhe nëpunësit tjerë, është bërë sot nga Kryeministri Hashim Thaçi në Mitrovicë, ku ai ka premtuar rritje të pagave 100 për qind për këto kategori.

“Jam krenar që premtimin për rritjen e pagave në të kaluarën e kam realizuar”.

“Kjo rritje do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke përfshirë të gjitha kategoritë e shoqërisë tonë, ju garantoj se gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar pagat e juaja do të rriten 100 për qind”.

Kandidati për Kryetar të Mitrovicës nga kjo parti, Avni Kastrati, ka folur për të arriturat gjatë mandatit të tij duke përfshirë, siç tha, investime mbi 100 milionë euro.

Ai ka prezantuar edhe projektet që do të realizohen në të ardhmen si në arsim, shëndetësi etj.

Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka falënderuar në veçanti punëtorët e arsimit për të cilët tha se kanë sakrifikuar shumë për arsimimin e gjeneratave të tëra në kohët më të vështira.

“Jemi duke bërë hapa të shpejtë dhe cilësor në avancimin e arsimit dhe të shëndetësisë në Mitrovicë”.

“Shumë shkolla do të ndërtohen në mandatin e ardhshëm katër vjeçar”.