Rexhep Hoti: Çështja e blloqeve politike e favorizoi Vetëvendosjen

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti ka thënë se ka uruar partinë konkurrente, Vetëvendosjen për rezultatin në zgjedhjet e 11 qershorit.

Lajme

13/06/2017 21:39

“I urova sukses Vetëvendosjes si parti e re me djem e vajza të rinj, ne na gëzon fakti se më në fund edhe pjesa e asaj që kishte diskutime të shumanshme, në raport me institucionin dhe ligjin bën një fushatë të denjë, me kravata dhe uroj që në të ardhmen do të kemi një konkurrencë të denjë”.

Hoti ka thënë poashtu se ka një arsye, sipas tij, se pse Vetëvendosja në zgjedhjet e të dielës shënoi dyfishim të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

“Çështja e blloqeve s’ka traditë në Kosovë dhe kështu ka favorizuar një parti të tretë në të dyja anët. Nuk dua të minimizojë fitoren ose suksesin e dikujt por moseksperienca e blloqeve ka lënë hapësirë që një parti që ka garuar e vetme të korrë suksesin e vet të nevojshëm”, ka thënë ai në Zona B.

“Kur formohen koalicionet e mëdha, madhësia është pak arrogante dhe nuk ka kujdes të nevojshëm ndoshta si harmonizimi i programeve e të ngjashme”.

“Ne harruam vetveten në disa momente të caktuara dhe kjo është një arsye e fuqishme që në të ardhmen të kujdesemi edhe në drejtimin e kësaj çështje”.