Remitancat të kthehen në investime

Për çdo vit mbi 1.5 miliardë euro dërgohen apo shpenzohen nga diaspora në Kosovë. Pjesa më e madhe e tyre shkojnë në konsum, palujtshmëri dhe shpenzime që diaspora bënë gjatë vizitave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Lajme

17/08/2017 12:12

Vetëm një pjesë e vogël janë të destinuara për investime. Për këtë D&D Businnes Support Center ka organizuar konferencën me temën “Nxitja dhe Promovimi i Investimeve të Diasporës në Kosovë”.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte se si të krijohen kushte që remitancat e diasporës të kthehen në investime. Gjithashtu aty u prezantuan edhe problemet që diaspora hasë gjatë investimeve në Kosovë.

Safet Fazliu, drejtori i D&D Businnes Support Center, tha se Kosova në raport me popullsinë e përgjithshme ka një diasporë shumë të madhe, e cila ka dhënë kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit përmes remitancave.

“Vetëm në vitin 2016 kemi pasur rreth 700 milion euro nga diaspora. Motivi kryesor i këtyre dërgesave është lidhja shpirtërore me familjet dhe atdheun. Në aspektin e destinimit të remitencave pjesa dërmuese është në konsum të përditshëm, palujtshmëri dhe tri deri në 4 për qind janë të destinuara në investime dhe fokusi i kësaj konference është se si t’i destinojmë këto mjete në investime”, raporton EO.

“Ndryshimin destinimit të tyre do të kishte një impakt shumëfish më të madh në rritje ekonomike, vende të reja të punës dhe nga kjo do të rritej edhe kthimin në investim nga bashkatdhetarëve. Ne kemi një numër të madh të pjesëtarëve të diasporës që kanë arritur një sukses në vendet ku jetojnë dhe ky target do të ishte i duhur për ta zgjeruar biznesin në Kosovë”, u shpreh Fazliu.

Ai tha se qëllimi i këtij organizimi është se si ti krijojmë kushte diasporës për të investuar në atdhe.

“Janë bërë disa hapa të rëndësishëm në aspektin ligjorë duke filluar nga reformat ekonomike dhe marrëveshjet e nënshkruara me Bashkimin Evropian duke mundësuar qasje më të lehtë bizneseve për ti krijuar dhe zgjeruar bizneset e tyre”, tha ai.

Ministri në detyrë i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se ende ka mosbesim nga diaspora për ambientin e biznesit në Kosovë.

“Unë mendoj që kur flasim për investimet nga diaspora remitancat janë vetëm një shtyllë që ne duhet t’i referohemi. Në total nga tri shtylla para që vijnë nga diaspora vetëm në vitin 2015 kanë qenë 1.5 miliardë dhe kjo është një shifër që përafërsisht është e njëjtë çdo vit”, tha ai.

“Kudo në botë por edhe tek ne nuk është e lehtë që remitencat të kthehen në investime. Ne kemi problem në përgjithësi me strukturën e ekonomisë së vendit dhe këto para të shpenzuara në konsum një pjesë e tyre dalin jashtë vendit”.

“Fokusi kryesor i joni do të ishte që të rriten investimet e huaja. Në të ardhmen kjo shifër nuk mund të mbetet dhe ne duhet të mundohemi që ndryshimet. Diaspora ka dhënë kontribut edhe në investime direkte dhe kanë qenë investime jashtëzakonisht të rëndësishme dhe kanë bërë një stabilitet socioekonomik të vendit. Ideja ime është që ne përqendrimin kryesor ta kemi tek investimet nga jashtë dhe jo tek të huajt, por tek njerëzit tanë. Për çdo qeveri fronti i parë do të duhej të ishte investimet nga diaspora”, u shpreh ministri.

Ai përmendi problemet me të cilat ballafaqohet diaspora se i përket investimeve.

“Një problem për ta është sundimi i ligjit dhe kur po flas për këtë është për mosefikasitetin e sistemit gjyqësor. Problem tjetër është. Mungesa e aftësim profesional dhe vërejtjet që na vijnë nga diaspora është që ne kemi një fuqi punëtore të pakualifikuar që nënkupton një punë që duhet të bëhet në aftësimin profesional të të rinjve. Problem tjetër është energjia si dhe mosfunksionimi i ligjeve”.

Ishte eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi i cili prezantoi hulumtimin “Aspekti ekonomik remitancave”, struktura e tyre dhe investimet e diasporës në Kosovë.

Gjithashtu aty u prezantua edhe aspekti sociopsikologjik i Investimeve të Diasporës në Kosovë nga profesori Besnik Krasniqi.